Në Shqipëri, njerëzit janë larguar, flamengot “hedhin valle”

Anijet e peshkimit, nuk dalin më.  Fabrikat janë mbyllur. Turistët janë zhdukur. Në lagunën shqiptare të Nartës, pandemia e koronavirusit po i  vjen për shtat flamengove, që shëtisin me siluetën e tyre elegante në numra gjithmonë e më të mëdha, thotë AFP.

Qetësia mbretëron tashmë në këtë hapësirë ​​kënetore me ujë të kripur që ndodhet në veri të Gjirit të Vlorës, e ndarë nga deti Adriatik nga një rrip I ngushtë bregdetar, ku ujërat e kaltra shkëlqejnë nën rrezet e një dielli pranveror.

“Në situatën aktuale, ne kemi ndryshuar rolet: njeriu është i kufizuar ndërsa fauna ka rimarrë të gjitha të drejtat e saj dhe përfiton nga liritë që I ka dhënë natyra” tha për agjensinë e njohur franceze të lajmeve Nexhip Hysolokaj, specialist i biodiversitetit. Laguna e Nartës është një zonë e mbrojtur, por me kalimin e viteve aktiviteti njerëzor dhe urbanizimi i egër kanë lënë mbi mjedisin gjurmën e tyre, duke kërcënuar ekosistemet. Megjithatë, pas shfaqjes së rastit të parë të Covid 19 në Shqipëri, në datën 9 mars, autoritetet morën masa jashtëzakonisht shtrënguese, të cilat praktikisht bënë që vendi të ndalonte, vazhdon artikulli. Në Nartë, kjo do të thotë se varkat e peshkimit, motorët e të cilëve shqetësojnë zogjtë, nuk dalin më në lundrim, e as dhjetëra tragetet e anijet që realizojnë cdo ditë lidhjen me Italinë e Greqinë nga porti i Vlorës aty pranë, vazhdon Nexhip Hysolokaj, përgjegjësi për zonën e mbrojtur.

Po kështu, edhe trafiku është zvogëluar ndjeshëm në rrugën nacionale, që ndodhet vetëm 500 metra larg. Fabrikat përreth, që hidhnin në lagunë mbetje ndotëse, sidomos njëra për trajtimin e lëkurës dhe një tjetër, prodhuese e vajit të ullirit, kanë “ rënë në gjumë”. Rezultati I të gjithë kësaj, sipas shkrimit, është rilindja për dyzet speciet e shpendëve shtegtarë që popullojnë këtë parajsë ornitologjike, me ishujt e vegjël të gjelbër dhe kodrat me shkurre e bimësi të harlisur. Sipas një studimi të kryer nga përgjegjësit e zonës, në muajin janar atje kishte 1.961 flamingo rozë, që vinin nga nga Afrika, Italia, Greqia, Spanja dhe Camargue, në Francë.

Sot, në lagunë, numërohen më shumë se 3,000. Sipas Mirjan Topit, autori i udhëzuesit të parë mbi zogjtë në Shqipëri, flamingot që “lëvizin prej vitesh në rajone të ndryshme të Mesdheut deri në mbërritjen e pjekurisë seksuale”, nuk ishin riprodhuar deri më tani ne vendin e vogël ballkanik. Por këtë vit, ekspertët shpresojnë se qetësia e shoqëruar me bollëkun e ushqimit, do t`i nxise zogjtë të qëndrojnë për ciftim e për të bërë fole. Sepse prej tre javësh tashmë, çiftet “po lëvizin pak më tej në lagunë dhe po celin “ paradat e tyre të joshjes”, thotë Nexhip Hysolokaj. “Thjesht koha e dashurisë”, shton Odise Celoaliaj, ekspert i mjedisit.

Më pak se 100 kilometra në veri, në Parkun Kombëtar të Divjakës, qetësia është mëse e mirëpritur edhe nga pelikanin kacurrel, që e merr emrin nga tufa e pendëve në kokë, e cila e bën të duket sikur ka vënë parukë. Një ishull i vogël prej 22 kilometra katrorë në qendër të lagunës, I cili është i vetmi vend i mbarështimit të këtij zogu të madh shtegtar në Shqipëri. Ai pret rreth 85 çifte për shumim, numri më i madh i pelikanëve kaçurrelë të regjistruar në tridhjetë vitet e fundit, sipas Ardian Koçit, drejtori i parkut. Natyra është mahnitëse në këtë vend, viktimë gjatë viteve të fundit e oreksit gllabërues të industrisë së turizmit dhe urbanizimit të egër, me ndërtimin e dhjetëra ndërtesave të paligjshme. Restorantet dhe hotelet në park, ku jetojnë 252 lloje kafshësh, gati gjysma e të cilave janë në listën e kuqe të Bashkimit Ndërkombëtar për Ruajtjen e Natyrës (IUCN), tani janë mbyllur. Laguna mirëpret normalisht në këtë sezon 50,000 vizitorë mujorë por, këtë vit, flamingot, shqiponjat e detit dhe rosat e përhime po shijojnë një paqe mbretërore. Ardian Koci do të donte që pandemia, e cila ka marrë rreth 30 jetë njerëzish në Shqipëri, të shërbejë si shkas për një ribalansim mes nevojës për të zhvilluar turizmin në një vend shumë të varfër dhe mbrojtjes së biodiversitetit. “Do të tregohesha egoist nëse do të thosha se vetëm natyra ka rëndësi, por nevojiten masa urgjente për t’i dhënë fund abuzimeve që i kanë dëmtuar kaq shumë ekosistemet kaq shumë, ” thotë ai.” Detyra jonë është ta ruajmë biodiversitetin për t`i shërbyer më mirë turizmit ”.

Back to top button
LAJMET E FUNDIT