Bie gongu në Shqipëri/ Nisin 60 orët e izolimit total në luftën kundër koronavirusit

Shqipëria është e mbyllur në shtëpi. Prej orës 17.30, asnjë person nuk del në rrugë, duke u bërë gati për fundjavën e gjatë të izolimit pothuaj prej 60 orësh.

Nga sot në ora 17.30 deri të hënën në 5 të mëngjesit, të gjithë do të jenë në shtëpi, si pjesë e masave të qeverisë kundër covid 19, edhe pse gjatë ditëve të javës pati disa lehtësira, që do të vijojnë edhe të hënën që vjen.

Por ndëshkimet për shkelësit nuk do të mungojnë. Policia do dalë nëpër lagje për patrullim si dhe do ketë edhe postoblloqe të përforcuara. Përjashtime do të ketë vetëm për ata qytetarë që do të kenë emergjenca për të dalë sidomos për tu drejtuar spitaleve.

Të shumta kanë qenë gjobat që policia ka vendosur edhe gjatë kësaj jave që u mbyll për liridaljet e qytetarëve. Por kryeministri Rama, referuar sugjerimeve të Komitetit Teknik ka vendosur që gjobat të jenë të ashpra ndaj të gjithë atyre që shkelin izolimin, e sidomos, kur u miratuan edhe ndryshimet në Kodin Penal.

Gjatë këtyre 5 ditëve janë vendosur 734 gjoba ndaj kalimtarëve, pasi qytetarët nuk kishin mandat autorizimi apo drejtonin mjetin në gjendje të dehur.

Ndërkohë që gjatë orëve të fundit tre qytetarë janë arrestuar nga policia pasi kanë kundërshtuar vendosjen e gjobës dhe ata do dalin para gjykatës për akuzën e kundërshtimit të policies. Ndërkohë policia kujton se veç patrullimeve ketë fundjavë do ketë edhe kontrolle me drone.

Back to top button
LAJMET E FUNDIT