Mbrojtja nga Covid-19 tani përgjegjësi edhe e biznesit

Ashtu si një anije që ka nevojë për farin për të kaluar mjegullën, sipërmarrjet kanë nevojë për një busull të fortë etike

Nga Majlinda Despoti* – Me përhapjen e shpejt të COVID-19 në nivel global, shumë sipërmarrje që kanë një etikë biznesi janë fokusuar para së gjithash në sigurinë e punonjësve të tyre. Ndaj sot  mjaft prej tyre po rishikojnë strategjitë, politikat dhe procedurat e tyre, duke u përqendruar në të njëjtën kohë edhe te detyrimet e tyre ligjore. Mungesa e politikave dhe procedurave adekuate për rastet e pandemive dhe planit përkatës për vijimësinë e aktivitetit, mund t’i ekspozojnë këto sipërmarrje para një sërë sfidash, përfshi edhe ato ligjore.

Si një sëmundje shumë e transmetueshme, COVID-19 paraqet shumë probleme që lidhen me zbatueshmërinë dhe pajtueshmërinë nga ana e biznesit me legjislacionin mbi punësimin, përfshi pagat, orët e punës, lejet për kujdesin prindëror dhe shëndetësor, etj, sigurinë dhe shëndetin në punë, si edhe politikat, procedurat dhe kontratat në fuqi.

Në shumë vende, punonjësit mbrohen nga legjislacionet përkatëse në fuqi që lidhen me sigurinë dhe shëndetin në punë. P.sh., nëse një punonjës infektohet në punë, në disa rrethana punëdhënësi mund të përballet me gjobitje. Punëdhënësit e papërgatitur mund të jenë të ekspozuar ndaj padive që lidhen me kompensimin e punonjësve, shkelje të të dhënave personale, diskriminimin, zbatimin e praktikave të padrejtë të punës dhe pakujdesi të ndryshme, etj.

Gjëja pozitive në një situatë të tillë është se duke treguar vëmendjen dhe kujdesin e duhur për sigurinë së punonjësve dhe përmbushjen e të gjitha detyrimeve, përfshi edhe to ligjore, punëdhënësit mund të minimizojnë riskun e infektimit të punonjësve dhe në të njëjtën kohë edhe të vijimësisë së biznesit të tyre. Pajtueshmëria me rregullat dhe protokollet në fuqi, natyrisht, është e rëndësishme për çdo sëmundje infektive kërcënuese për jetën, jo vetëm për COVID-19.

Tashmë që qeveritë po planifikojnë hapjen graduale dhe shumë biznese po rihapen duke rikthyer punonjësit në ambientet e punës, pajtueshmëria me ligjet dhe rregullat është jetësore. Gjëja e fundit që çdo punëdhënës do të dëshironte do të ishte të kthehej në një vatër apo pikë e nxehtë e koronavirusit në vendin e punës. Dëshira në nxitim për të hapur biznesin dhe për të kthyer stafin në zyrë ka sfidat e saj ligjore dhe morale, duke ndikuar drejtpërdrejtë në reputacionin e biznesit. Çdo hap i gabuar, i hedhur në nxitim e sipër, ligjiërisht mund të duket në rregull, por mund të vë në pikëpyetje reputacionin e biznesit dhe vijimësinë e tij.

Çfarë rekomandohet më konkretisht për punëdhënësit në këto kushte të hapjes graduale të aktivitetit të tyre?

Marrja e informacionit mbi vendimet dhe rregullat e miratuara

Të jenë të informuar me të gjitha udhëzimet dhe protokollet përkatëse që lidhen me epideminë të miratuara nga autoritetet përkatëse, të cilat mund të jenë në ndryshim të vazhdueshëm në varësi të situatës së përhapjes së virusit, për të ndërmarrë kështu të gjitha veprimet dhe masat e kërkuara për zbatim.

Rishikimi i politikave, procedurave dhe rregullave të biznesit në përputhje me kërkesat e autoriteteve përkatëse, duke vënë theksin mbi sigurinë dhe shëndetin në punë.

Intensifikim i komunikimeve me stafin

Për arsye ligjore dhe praktike, bizneset duhet t’u japin punonjësve informacione të sakta në lidhje me mënyrat për të parandaluar përhapjen e virusit, por më e rëndësishmja është që u kanë siguruar punonjësve mjetet e nevojshme për të vepruar në përputhje me informacionin e dhënë.

Kryerja e kontrolleve mjekësore

Nëse para epidemisë, matja e temperaturës së punonjësve përpara se të hynin në vendin e punës mund të dukej qesharake, madje në shumë vende mund të përbënte arsye për një proces gjyqësor kundër punëdhësit, tashmë është një detyrim. Bizneset, me strukturat përkatëse, duhet të sigurojnë matjen e temperaturës së stafit dhe të pyesin punonjësit nëse ata po përjetojnë ndonjë nga simptomat e infeksionit me COVID-19, të tilla si “ethe, kollë, gulçim ose dhimbje fyti”.

Intensifikim i higjienës në vendin e punës

Për më tepër, punëdhënësit duhet të zbatojnë masa për të zvogëluar rrezikun e përhapjes së virusit në vendin e punës, duke siguruar dhe garantuar që punonjësit të kenë akses në objektet e larjes së duarve dhe/ose dezinfektuesve të duarve dhe që sipërfaqet publike deri te butonat e ashensorit të dezinfektohen rregullisht. Punëdhënësit, gjithashtu, mund të konsiderojnë ndryshime për të zvogëluar mbipopullimin, të tilla si lehtësimi i punës në distancë, puna me turne dhe mbase edhe ndryshme në ambientet e brendshme të mjediseve të punës. Masa të tilla mund të ndihmojnë në mbrojtjen e punonjësve nga infeksioni dhe mbrojtjen e biznesit nga përgjegjësitë, përfshi edhe ato ligjore.

Kthim gradual i stafit

Bizneset duhet të planikojnë kthimin gradual të punonjësve në vendin e punës dhe të shmangin rikthimin menjëherë të tij. Një kthim gradual do të ndihmonte në ruajtjen e distancës sociale në ditët e para dhe gjithashtu do t’u jepte kohë bizneseve për adaptimin me realitetin e ri në ambientet e punës.

Për më tepër nëse punonjësit mund të kryejnë detyrat e tyre nga shtëpia, bizneset mund të aplikojnë këtë mënyrë pune derisa punënësit të kthehen të qetë në vendin e tyre të punës.

Këto janë vërtetë ditë të vështira dhe të çuditshme. Asnjë prej nesh nuk mund të parashikojë se çfarë do të vijë më pas. Dhe kjo është pikërisht arsyeja pse ne kemi nevojë për zëra të fortë etik tani më shumë se kurrë. Një sipërmarrje etike nuk i vendos kurrë punonjësit e saj të zgjedhin midis sigurisë dhe shëndetit personal dhe përmbushjes së detyrave të tyre ndaj biznesit. Ashtu si një anije që ka nevojë për farin për të kaluar mjegullën, sipërmarrjet kanë nevojë për një busull të fortë etike për t’i drejtuar përmes ujërave të paeksploruara. Mjegulla mund të bëhet më e trashë, por fari mbetet. Bizneset kanë nevojë për një drejtim dhe manaxhim të fortë etik për vendime të shpejta, të forta dhe transparente.

*Majlinda Despoti është eksperte në çështjet e Manaxhimi të Riskut dhe Pajtueshmërisë. Anëtare e Shoqatës Ndërkombëtare për Pajtueshmërinë (International Compliance Association – FICA)

Back to top button
LAJMET E FUNDIT