Rrjeti 5G i telefonisë nuk përhap Covid-19

Pavarësisht zërave të dalë së fundmi, Instituti i Shëndetit Publik bën me dije se Covid-19 nuk përhapet nga rrjeti 5G i telefonisë. Sipas ekspertëve të këtij institucioni, të dhënat e raportuara nga vende të ndryshme tregojnë se transmetimi i virusit ndodh nëpërmjet kontaktit të afërt me persona të infektuar, dhe jo valëve të radios apo rrjeteve telefonike që aplikojnë 5G. Sipas ISHP-së, janë të shumta vendet që nuk aplikojnë rrjetin 5G të telefonisë, por që janë prekur në masë nga pandemia e Covid-19.
“Viruset nuk udhëtojnë në valët e radiove apo të telefonave. Covid-19 po përhapet më shumë në vendet që nuk kanë rrjet telefonie 5G”, sqaron ISHP në lidhje me faktet që duhet të dimë rreth formave të përhapjes së Covid-19.
Ekspertët e shëndetit publik vijojnë të konfirmojnë se përhapja e virusit ndodh nëpërmjet spërklave, kur një person i infektuar kollitet, tështin, apo flet. Njerëzit, gjithashtu mund të infektohen duke prekur fillimisht sipërfaqe të ndotura, e duke prekur më pas sytë, hundën, apo gojën.
Sipas të dhënave të konfirmuara nga strukturat e shëndetit publik, deri më tani në vendin tonë janë testuar 7279 raste të dyshuara dhe prej tyre janë të konfirmuar pozitivë me Covid-19 në total 726 raste. Gjatë 24 orëve të fundit, shtatë pacientë të tjerë, të gjithë nga Shkodra, i janë shtuar listës së të shëruarve, duke e çuar totalin e të shëruarve nga koronavirusi në 410 persona. Aktualisht janë 288 persona aktivë me Covid-19 që po trajtohen në kushtet e shtëpisë dhe shërbimet e dy spitaleve të hapura për Covid-19.