Atletja shqiptare, Gega: Jam e inatosur, shkatërruan çdo gjë

REAGIMI I ATLETES SHQIPTARE

Atletja shqiptare Luiza Gega ka mbetur shumë e zhgënjyer për anulimin Kampionatit Europian të Atletikës. Kampionia dhe rekordmenia jonë po zhvillonte një fazë përgatitore intensive në Kenia, ku prej dy muajsh ndodhej në shtetin afrikan. Në një postim në rrjetet sociale, Luiza Gega shprehu indinjatën e saj për këtë vendim:

“Ndihem shumë e inatosur me këtë vit në këto momente. Unë e kuptoj situatën e vështirë sepse të njëjtën gjë ashtu si të gjithë po e kaloj dhe unë. Por personalisht nuk mendoj që bota duhet të ndalojë së jetuari, mendoj se nuk është kjo zgjidhja.

Sigurisht që duhen marrë masa që kjo situatë të jetë sa më e lehtë, por jo të shkatërrojnë çdo gjë që shumë nga ne kanë punuar fort çdo ditë të vetme për të. Në shumë vende kampionati i futbollit do të fillojë së shpejti, shumë personave mund t’u duket jo e drejtë, por unë jam plotësisht dakord me këtë.

Shumë sportistë në botë, sportin përveç pasionit e kanë edhe punë sepse me të jetojnë, nga këto aktivitete paguhen, kanë kontratat me sponsorët etj. Pra, gjërat janë shumë më të ndërlikuara se sa duken nga ata që e shikojnë nga jashtë sportin.

Ndoshta jam pak e revoltuar për momentin, sepse sapo u anulua dhe aktiviteti i dytë më i rëndësishëm për këtë vit pas shtyrjes së Lojërave Olimpike. Sigurisht që për Lojërat Olimpike jam shumë dakord, sepse është aktiviteti më i madh në botë dhe me një trysni të tillë nuk mund të jetë fokusi te Lojërat Olimpike.

Por Kampionati Europian i Atletikes është diçka tjetër, e mirëkuptoj shtyrjen, por jo anulimin. Gjithsesi, do të vazhdoj të punoj fort dhe të qëndroj pozitive, sepse viti 2021 vjen shumë shpejt”.

Back to top button
LAJMET E FUNDIT