Matura 2020, temat e duhura për testin e Gjuhës shqipe dhe letërsisë

Për shkak të situatës së diktuar nga Covid-19, ku mësimi për të gjitha ciklet po zhvillohet online në kushtet e shtëpisë prej gati dy muajsh, ekspertët e arsimit kanë rishikuar programet orientuese mbi përgatitjen e provimeve të Maturës Shtetërore 2020. Ndërkohë që gjatë kësaj jave pritet të merret edhe vendimi nga MASR se si do të vijohet për përfundimin e vitit shkollor në të gjitha ciklet e arsimit parauniversitar.

Për t’u ardhur në ndihmë maturantëve, Agjencia e Sigurimit të Cilësisë së Arsimit Parauniversitar (ASCAP) bën me dije se në programet oerinetuese janë hequr tashmë njohuritë lëndore që janë zhvilluar gjatë mësimit në kushtet e shtëpisë, që përkojnë me periudhën mars-qershor 2020. Këto njohuri nuk do të përfshihen në testin e gjuhës shqipe dhe të letërsisë. Autoritetet e kësaj agjencie bëjnë me dije se procesi i rishikimit të programit orientues është realizuar nga specialistët e kurrikulës në bashkëpunim me mësues të gjuhës shqipe dhe të letërsisë. Programin me temat që duhet të mësoni dhe ato që janë hequr nga programi orientues e gjeni të plotë online në faqen zyrtare të Agjencisë së Sigurimit të Cilësisë së Arsimit Parauniversitar.

Gjuha shqipe dhe Letërsia bërthamë është një nga tri provimet e detyruara në Maturën Shtetërore 2020. Në këtë provim nxënësit do të zhvillojnë një test të përbashkët për të dyja lëndët. Teza e provimit për këtë lëndë do të jetë e strukturuar në tre pjesë.

Pjesa I- Gjuhë shqipe

Kjo pjesë përbëhet nga dy tekste. Fragmenti i parë është një pjesë joletrare. Ai përmban katër pyetje me alternativa, të cilat testojnë aftësitë e nxënësit për të kuptuar çështje që lidhen me strukturën e tekstit, qëllimin e autorit në parashtrimin e ideve, lidhjet shkak-pasojë. Fragmenti pasohet edhe nga 5 pyetje me zhvillim, të cilat vlerësojnë aspekte të tjera të pjesës, të tilla si: identifikimin e informacionit (i drejtpërdrejtë ose jo), vlerësimin e strukturës së tekstit, karakteristikat gjuhësore dhe përmbajtësore, si dhe gjenerimin e ideve dhe reflektimin personal. Në vitet e shkuara tekstet joletrare kanë qenë të llojit: argumentues, përshkrues, informues, udhëzues. Fragmenti i dytë vlerëson njohuritë gjuhësore të nxënësit. E gjithë pjesa përmban disa probleme në strukturë fjalie, drejtshkrim, shenja pikësimi, koherencën midis paragrafëve, etj, të cilat duhet të zgjidhen përmes 10 pyetjesh me alternativa, që testojnë pikërisht këto aftësi gjuhësore.

Pjesa II- Letërsi

Kjo pjesë përmban dy tekste, të shkëputura nga dy vepra letrare. Teksti i parë i takon një autori të letërsisë shqipe. Teksti i dytë i takon një autori të letërsisë së huaj. Tekstet janë të gjinive të ndryshme letrare: prozë dhe poezi (poemë epike). Secili tekst letrar ka në përmbajtje nga tri pyetje me alternativa, të cilat kërkojnë kryesisht përgjigje që lidhen me nivelin e të kuptuarit. Secili tekst ka edhe pyetje të hapura, përkatësisht teksti i parë ka 3 pyetje (me disa kërkesa secila) dhe teksti i dytë ka 5 pyetje. Secila prej tyre vlerëson kompetencat e të nxënit në të tri nivelet e arritjeve.

Pjesa III: Eseja

Pjesë e testit është edhe pyetja ese. Kjo e fundit mund të jetë argumentuese, përshkruese, analizuese, krahasuese, etj. Pesha që kjo pyetje zë në tërësinë e testit (8 pikë), varet nga pesha që zë rubrika të shkruajmë në kurrikul. Në vlerësimin e përgjigjeve të nxënësve për pyetjen ese, Qendra e Shërbimeve Arsimore përdor metodën analitike të pikëzimit, e cila do të bazohet në zbatimin e këtyre katër kritereve: shtjellimin e idesë, organizimin dhe strukturën, stilin dhe origjinalitetin, si dhe saktësinë gjuhësore. Përgjigjja e dhënë nga nxënësi për këtë pyetje, vlerësohet ndarazi për secilin nga kriteret.

Ekspertët e ASCAP kanë përcaktuar tashmë edhe listën e autorëve dhe veprave të tyre që do të jenë pjesë e testit të 2020-s. Në vijim gjeni të plotë listën me veprat e autorëve të huaj, si dhe atyre shqiptar, me të cilat duhet të punoni gjatë ditëve në vijim.

Për autorët, si: Homeri, Eskili, Aligeri, Shekspir, Gëte, Hygo, De Rada, Balzak (të cilët janë studiuar gjatë viteve të shkollimit), mund të realizohet përsëritja e plotë e tyre. Ndërsa për autorët, si: Kamy, Migjeni, Poradeci, Agolli, Kadare, Shkreli, maturantët është mirë të përsëritin njohuritë që lidhen me autorët që kanë studiuar deri tani në shkollë.

Teza e Gjuhës shqipe dhe Letërsisë do hartohet duke iu referuar këtyre veprave:

  • Homeri “Iliada”

Për këtë vepër maturanti duhet të vlerësojë rëndësinë e Homerit në letërsinë e mëvonshme, si dhe të interpretojë, analizojë dhe gjykojë vlerat artistike të poemës “Iliada”

  • Eskili “Prometeu i mbërthyer”

Maturanti duhet të ndalet tek tiparet dalluese të krijimtarisë së Eskilit. Në mënyrë më të detajuar duhet të interpretoni, analizoni dhe gjykoni vlerat artistike të tragjedisë “Prometeu i mbërthyer”.

Dante Aligeri “Ferri”

Për këtë vepër duhet të interpretoni, analizoni dhe gjykoni për vlerat artistike të Ferrit, si dhe të analizoni vlerat, strukturën, filozofinë dhe rëndësinë e “Ferrit”.

  • Shekspir “Hamleti”

Duhet të ndaleni tek rëndësia e Shekspirit në letërsinë botërore, si dhe të interpretoni, analizoni dhe gjykoni për vlerat artistike të“Hamleti”.

  • Gëte “Fausti”

Nxënësit i kërkohet që të vlerësojë rëndësinë që ka krijimtaria e Gëtes në letërsinë gjermane dhe më gjerë; si dhe të interpretojë, analizojë dhe gjykojë tragjedinë “Fausti”.

  • Hygo “Katedralja e Parisit”

Nxënësi: vlerëson rolin e Hygoit në letërsinë romantike dhe në letërsinë e mëvonshme francize, si dhe interpreton, analizon, gjykon dhe vlerëson romanin “Katedralja e Parisit”.

  • De Rada “Këngët e Milosaos”

Nxënësi: vlerëson rolin dhe rëndësinë e De Radës në letërsinë arbëreshe të Rilindjes, interpreton, analizon, gjykon dhe vlerëson poemën “Këngët e Milosaos”, si dhe dallon tiparet e romantizmit që gjejnë shprehje në veprën e De Radës.

  • Balzak “Xha Gorio”

Nxënësi: analizon dhe vlerëson rëndësinë e veprës së Balzakut në letërsinë franceze dhe më gjerë, interpreton, analizon, gjykon dhe vlerëson “Xha Gorio”, si dhe identifikon karakteristikat e personazhit realist në këtë roman.

  • Kamy “I huaji”

Nxënësi: formulon idenë e Kamysë për absurdin, analizon raportin absurd, shpërfillje, shpresë, revoltë, në veprën e Kamysë, interpreton, analizon, gjykon dhe vlerëson romanin “I huaji”.

Lasgush Poradeci “Ylli i zemrës”

Nxënësi: analizon risitë dhe origjinalitetin që solli Poradeci në poezinë shqipe; analizon motivet kryesore të poezisë së Poradecit; veçon dhe gjykon ndikimet që pati Poradeci nga krijimtaria e Naim Frashërit dhe nga poezia moderne e Evropës; si dhe interpreton, analizon, gjykon dhe vlerëson vëllimin poetik “Ylli i zemrës”.

  • Migjeni “Novelat e qytetit të veriut” dhe “Vargjet e lira”

Nxënësi: – vlerëson frymën e re që sjell Migjeni në letërsinë shqipe (në formë dhe në përmbajtje), si përshembull: shkëputjen nga letërsia pararendëse, trajtimin e temave tabu, vargu i lire, etj. Gjithashtu portretizon njeriun në krijimtarinë e Migjenit, duke e krahasuar edhe me krijimtarinë e letërsisë së mëparshme, por edhe me letërsinë e kohës së tij, si dhe interpreton, analizon, gjykon dhe vlerëson vëllimin në prozë “Novelat e qytetit të veriut”, interpreton, analizon, gjykon dhe vlerëson vëllimin poetik “Vargjet e lira”.

Pranvera Kola\Dita

Back to top button
LAJMET E FUNDIT