Një sëmundje, shumë dështime

Nga Erion Dasho
Në 30 prill mbushen fiks katër muaj që kur u raportuan për herë të parë (zyrtarisht) rastet e para të infeksionit që më vonë do të emërohej COVID dhe do të shpallej pandemi globale. Me gjithë etiketimet bombastike dhe miliardat e shpenzuara, ende nuk është hedhur mjaftueshëm dritë mbi sëmundjen dhe ato që dihen rreth saj, duken të shkojnë “rrotë më rrotë” me ato që nuk dihen. A është kjo situatë normale?
Kërkuesit shkencorë
Qindra mijëra persona dhe mijëra universitete përfitojnë çdo vit miliarda dollarë për kërkime shkencore mjekësore. Çdo vit publikohen 2.5 milionë artikuj mjekësorë vetëm në revistat të cilat njihen si “peer reviewed”, një proces ku artikulli publikohet vetëm pasi një panel ekspertësh i gjen artikujt të saktë metodologjisht dhe të besueshëm nga ana shkencore.
Katër muaj pas fillimit të pandemisë më të rrezikshme, me të cilën njerëzimi është përballur në njëqind vitet e fundit, ende nuk njihen me saktësi rrugët e transmetimit dhe roli i tyre në përhapjen e infeksionit! Ende nuk është vërtetuar në se infeksioni lë apo jo imunitet, çka do të thotë se nuk mund të thuhet me saktësi në se një person i shëruar ka ose jo rrezik riinfektimi.
Megjithëse janë investuar qindra milionë dollarë dhe janë premtuar miliarda të tjerë, ende nuk dihet në se do të arrihet të prodhohet vaksina kundër virusit dhe, aq më pak, të thuhet se kur mund të prodhohet ajo, apo se sa mbrojtje do të ofrojë nga infeksioni.
Shkencëtarët e numrave
Ata që njihen si shkencëtarët e numrave (data scientists) janë dështakët e dytë të epidemisë. Sot shkencëtarët e të dhënave kanë në përdorim mjetet më komode për të grumbulluar të dhëna, për t’i transmetuar ato dhe për t’i analizuar. Fuqia kompjuterike e serverave që përdoren për ruajtje dhe përpunim të dhënash, si dhe kompleksiteti i programeve që përdoren për vizualizimin dhe hartëzimin e gjetjeve është i jashtëzakonshëm.
Nga gjithë ky potencial, ajo që njerëzit shohin deri tani është harta blu e Google dhe disa harta, kopje të njëra-tjetrës, të cilat mbajnë emrat e organizatave që i kanë prodhuar. Një website i panjohur para epidemisë (Worldometer), u bë brenda pak javëve pika e referencës për pothuajse çdo të dhënë që nevojitet rreth epidemisë në çdo vend të botës, kontinent, grup moshë, etj.
Ndërkohë që numri i të infektuarve nga virusi ka kaluar 3 milionë dhe ai personave të kanë humbur jetën ka kaluar 200 mijë, shpikësit e inteligjencës artificiale nuk kanë arritur as të krijojnë një bazë të dhënash me numra të mjaftueshëm për të nxjerrë statistikat aq të dobishme për vendim-marrje.
Nga makinat autosuficiente (ato që aplikojnë “machine learning”) do të priteshin përgjigje ndaj disa pyetjeve themelore: Pse disa të rinj vdesin prej sëmundjes, ndërkohë që disa të tjerë, me karakteristika pothuajse të njëjta, nuk shfaqin asnjë shenjë? Nga të gjithë skemat e përdorura të mjekimit, cila është skema që ka dhënë rezultate më të mira?
Të dhënat e miliona të infektuarve dhe qindra mijëra të vdekurve duhej të ishin “lëmi” ku makinat inteligjente duhej të kishin “shirë” për të nxjerrë të gjithë përfundimet e mundshme. Fatkeqësisht, asgjë nga këto nuk ka ndodhur.
Organizmat kompetentë
Askush nuk do të donte sot të ishte në vendin e Drejtorit të Organizatës Botërore të Shëndetësisë. Për disa çështje fare elementare si “a duhen mbajtur apo jo maskat?”, “a duhen mbyllur kufijtë?”, etj. OBSH ka ndërruar qëndrim dhe jo vetëm një herë. SHBA-të vendosën të ndërpresin kontributin financiar duke e dëmtuar edhe më tej reputacionin e saj.
Deri diku, OBSH po mban “kryqin” e kërkuesve dhe të shkencëtarëve të të dhënave. Ky komunitet ishte ai që duhej të prodhonte njohuritë teknike të cilat OBSH i përkthen në rekomandime. Në mungesë të një informacioni të besueshëm shkencor, OBSH ka qenë reaktive dhe jo proaktive, duke bërë jo rrallë gafa të rënda siç ishte ajo e para pak ditëve, ku vendosi të shprehet për një çështje shumë kundërthënëse – a krijon virusi imunitet.
Deklarate e pamenduar mirë mbi këtë çështje, vendosi një pikëpyetje të madhe mbi të dy rrugëdaljet e vetme nga pandemia – imuniteti i grupit dhe zhvillimi i një vaksine të efektshme. Efekti psikologjik dhe social i një deklarate të tillë është shkatërrues.
Shtetet dhe supershtetet
Të vendosur para realitetit sfidues, politikanët morën menjëherë rolin e personit që bie në lumë dhe e shfrytëzon këtë si mundësi për të mësuar notin. Mungesa e orientimeve nga kërkuesit, shkencëtarët e të dhënave, apo organizmave kompetente teknike, u la politikanëve fushë të lirë veprimi.
Gjithkush mori rolin që ka më për zemër. Në Kinë, Qeveria izoloi dhjetëra milionë banorë. Në SHBA, Presidenti rimori rolin e gjithologut dhe filloi të japë receta klorokine apo të bëjë zbulime çudibërëse siç është “injektimi i dritës ultravjollcë në trupin e njeriut”. Në Gjermani, Kancelarja rimori rolin e shkencëtares dhe nisi të shpjegonte shkencën e transmetimit të virusit më mirë se sa epidemiologët e mjaft vendeve të tjerë. Në Suedi, u ndoq taktika ultra-liberale “virusit nuk kemi ç’i bëjmë, prandaj do ta lejojmë të bëjë punën e vet”.
Në amullinë e krijuar askush nuk mund të paragjykojë askënd. Sapo nis të kritikosh një politikan, përgjigja vjen e gatshme “po shpëtojmë jetët e njerëzve”. Përgjigje e cila sot mbyll çdo hapësirë për diskutim dhe nesër do të shërbejë si justifikim për të gjithë ankesat dhe akuzat.
Pasojat
Ky dështim shumë planesh vjen me pasoja shkatërrimtare të cilat është vështirë të vlerësohen apo të parashikohen në gjithë spektrin e dëmit potencial që mund të shkaktojnë. Ekonomia pritet të përjetojë krizën më të madhe të epokës moderne. Pasojat dihen: papunësi dhe varfëri në botën e pasur dhe vdekje në vendet në zhvillim.
Termat e respektueshëm dhe, deri diku, irealë si Objektivat e Zhvillimit të Mijëvjeçarit apo Objektivat e Zhvillimit të Qëndrueshëm do t’u lënë vendin termave shumë më materialë dhe të prekshëm si Lufta Kundër Urisë. Në Brazilin me 200 milionë banorë, kriza e para disa viteve përllogaritet se shkaktoi 30 mijë të vdekur në grupmoshën nën 65 vjeç.
Në një botë me 8 miliardë banorë, një krizë globale, shumë më e rëndë se kriza braziliane, mund të shkaktojë për analogji më shumë se 2 milionë të vdekur. Ndoshta vetë epidemia nga COVID nuk ka për të arritur në këto shifra vdekjesh. Përveç dëmit ekonomik, dëmi social, dëmi që do të vijë nga destabiliteti politik dhe, paradoksalisht, dëmi shëndetësor (përpjekja për shmangien e të cilit nisi rrethin vicioz të dëmeve), kërkojnë përllogaritje shumë më komplekse për t’u shprehur në terma konkretë.
Po Shqipëria?
Sot kur numri i të sëmurëve nga COVID ka kaluar popullsinë e Shqipërisë dhe numri i të vdekurve po i afrohen popullsisë së kryeqytetit, kuptohet se roli ynë në skakierën botërore të COVID është i papërfillshëm. Ne nuk kemi as popullsi, as raste dhe as shkencëtarë për të dhënë ndonjë kontribut të qenësishëm.
Megjithëse ndjekim 24 orë në ditë lajme nga COVID dhe debatojmë çdo teori të mundshme konspirative, në raport me pandeminë, ne mbetemi si ata fëmijët që vijnë rrotull në sallën ku luajnë shah gross mjeshtërit.
Urojmë të mësojmë ndonjë lëvizje fituese për të na ndihmuar ta kalojmë pa shumë dhimbje këtë histori të destinuar të zgjatë.
*****
Botuar në DITA. Autori është ekspert i Shëndetit Publik. Ndalohet ribotimi i plotë ose i pjesshëm pa citimin korrekt dhe të dukshëm të burimit