VIDEO: “Tren” me satelitë në qiellin e Shqipërisë, Musk: Do t’i bëjmë të mos shkëlqejnë aq shumë

Kriza me të cilën po kalojnë njerëzit në tokë për shkak të pandemisë së koronavirusit të ri nuk e ka ndaluar Elon Musk që të vazhdojë të shohë nga qielli.
Kompania e tij, Space X lëshoi në hapësirën dërgesën e radhës me satelitë, që miliarderi amerikan thotë se janë pjesë e projektit gjigant “Lidhja e Yjeve” (Starlink), që do të përmirësojë ndjeshëm si mbulimin me internet të globit, ashtu edhe cilësinë e shpejtësinë e internetit.
Këtë radhë bëhej fjalë mirfilltazi për një tren ajror me 400 satelitë si vagonë, që u hodhën në orbitë duke shfrytëzuar anijen hapësinore “Falcon 9”, e cila u ngrit nga Cape Canaveral Air Force Station në Florida. Një pjesë e tyre u pa me sy të lirë edhe nga Tirana, si në videon e mëposhtme.
Kjo është dërgesa më e madhe e hedhur ndonjëherë në hapësirë si pjesë e këtij projekti, që Elon Musk synon që të zgjerohet me 12 mijë satelitë dhe mundësinë që ky numër të shkojë në 42 mijë të tillë.
Musk është i bindur se në përfundim të projektit nuk do të ketë cep të globit pa akses në internet, ndërkohë që kritikuesit e programit e qortojnë duke deklaruar se numri i lartë i satelitëve mund të ndikojë në destabilizimin e klimës në Tokë.
Në një reagim në rrjetet sociale, ai është përgjigjur edhe për shqetësimin e qytetarëve që të habitur i kanë vënë re në qiell gjatë natës.
Musk ka thënë se kompania planifikon t’i modifikojë satelitët në mënyrë që të mos shkëlqejnë aq shumë.
“Ne jemi duke ndërmarrë disa hapa të rëndësishëm për të zvogëluar shkëlqimin e satelitëve. Duhet të jenë shumë më pak të dukshëm gjatë ngritjes në orbitë duke ndryshuar këndin e panelit diellor dhe të gjitha pjesët që reflektojnë diellin”, tha ai.
Musk tha më tej se një prej 90 satelitëve të grupit të parë është lyer me një bojë eksperimentale kundër shkëlqimit që ka dhënë rezultat.