Krimi në vitin 2019/ Jo vetëm drogë e vrasje, por edhe terrorizëm; ja dosjet nën hetim

Në raportin e dorëzuar në Kuvend nga Prokuroria e Përgjithshme për aktivitetin kriminal të vitit kalendarik 2019 bie në sy edhe një statistikë krejt e ndryshme nga viti 2018.

Bëhet fjalë për krimet terroriste që kanë pësuar një rritje me gati 60 për qind krahasuar me vitin 2018. Sipas shifrave, rezulton se totali i procedimeve të regjistruara për vepra penale me qëllime terroriste në vitin 2019 është 10, ndërsa në vitin 2018 ka qenë 4.

Prokuroria në vitin 2019 ka regjistruar 3 procedime penale për nenin 230 të Kodit Penal “Vepra me qëllime terroriste, 3 procedime penale për nenin 230/a të Kodit Penal “Financimi i terrorizmit”, 2 procedime penale për nenin 232 të Kodit Penal “Stërvitja për kryerjen e veprave me qëllime terroriste”, 2 procedime penale për nenin 234/a të Kodit Penal “Organizata terroriste”.

Pra, këtu janë bashkuar të gjithë elementët e një krimi të rëndë, që ka pasur synim të sulmojë në Shqipëri, por që janë zbuluar në kohë. Sipas burimeve për këto 10 çështje terrorizmi nën hetim nga Prokuroria.

Një seksion i posaçëm i hetimit të çështjeve të terrorizmit është marrë me to, por vetting-u bëri që prokurorët e larguar t’ia lënë fatin e hetimeve të tjerë prokurorëve të përkohshëm.

Këto dosje, sipas prokurorëve kanë të dhëna hetimore për tentativë të akteve terroriste, rekrutim të meshkujve dhe fëmijëve, financim dhe stërvitje të ushtarëve. Reforma që do të pësojë së shpejti sistemi i drejtësisë në vend dhe shkrirja e gjykatës dhe prokurorisë për krimet e rënda, do të bëjnë që këto dosje të kalojnë për kompentencë lëndore pranë prokurorive në rrethe.

Rasti i marsit të vitit 2018, i publikuar nga Policia e Shtetit, tregoi se celulat terroriste në Shqipëri veprojnë në formë të organizuar dhe se vetëm falë hetimit të strukturave të posaçme u bë i mundur parandalimi i disa sulmeve terrorriste në një aktivitet fetar si dhe në bazën e azilantëve të shtetasve irakianë në periferi të Tiranës.

Por, ligji e ka thënë fjalën e tij. Këto çështje nuk do të jenë kompetencë e prokurorisë së posaçme të hetimit, duke lënë në duart e prokurorive në rrethe çështje që lidhen me sigurinë publike dhe territoriale.

Sot, 10 dosje presin të zbardhin të tjera fakte dhe ngjarje. Prokurorët e Krimeve të Rënda që hetonin këto çështje kërkuan prej ligjvënësve në 2016 ngritjen e një strukture të posaçme brenda SPAK, duke i cilësuar këto dosje si shumë specifike dhe profesionale, por kërkesa e tyre, edhe pse e miratuar nga faktori ndërkombëtar, u hodh poshtë duke lënë në rend të dytë sigurinë dhe në të parin korrupsionin në nivel shtetëror.

Deri tani, në rajon nuk ka pasur akte terroriste të bashkërenduara me pasojë viktima, por nuk kanë munguar nxitjet, organizimet për të tilla, të cilat kanë gjetur terren të përshtatshëm në individë të radikalizuar, të gatshëm për t’iu përgjigjur thirrjeve të tyre. Synimet dhe planet për akte terrori janë identifikuar dhe neutralizuar në fazë të hershme.

Udhëtimet e Luftëtarëve të huaj terroristë nga Shqipëria drejt organizatave terroriste, pas vitit 2015 e në vijim kanë qenë të shpeshta. Pas trysnisë ushtarake, humbjes së Kalifatit të vetëshpallur fizik, reduktimit të financave dhe burimeve njerëzore, ISIS/DAESH ka filluar tashmë zbatimin e strategjisë së shndërrimit në një lëvizje klandestine, e cila vijon të përbëjë kërcënim për sigurinë ndërkombëtare.

Back to top button
LAJMET E FUNDIT