Rritja e borxhit, Rama ia “faturon” Parlamentit, huanë 175 mln euro me FMN

Qeveria ka dërguar në Parlament marrëveshjen e kredisë me Fondin Monetar Ndërkombëtar që parashikohet të jetë në vlerën 175 mln eurove.

Rama ka preferuar që ta dërgojë për miratim në Parlament, duke legjitimuar kështu edhe efektet e rritjes së boxhit në Shqipëri, që pritet të kalojë mbi 70% PBB-së. Kredia e marrë nga qeveria parashikohet përballimin e efekteve që mund të japë në ekonomi pandemia e Covid-19.

Por në relacionin e paraqitur nga Qeveria për marrëveshjen me FMN, përmendet se një rast i ngjashëm është kryer më parë. Bëhet fjalë për praktikën e ndjekur me marrëveshje po me FMN në vitin 2014 që u miratua nga Parlamenti për kredinë trevjeçare prej 295 420 000 SDR.

“Si sqarim i përgjithshëm ndaj sugjerimeve të këtyre institucioneve mbi aktin e propozuar sqarojmë se synimi është miratimi i një instrumenti kredie të akorduar nga FMN bazuar në aktin ligjor në fuqi për miratimin e instrumenteve financiare të akorduara nga i njeejti institucion financiar (ligji 33/2014). Për më shumë, sqarojmë se nuk kemi të bëjmë me ratifikimin e një marrëveshjeje ndërkombëtare pasi FMN si institucion nuk e njeh këtë mënyrë bashkëpunimi. Shtojmë se në momentin e aderimit në FMN Shqipëria e ka pranuar statutin e saj.

Për sa më sipër Ministria e Financave ka proceduar me ndryshimin e bazës ligjore të aktit të propozuar, në reflektimin e bazës ligjore të aktit të propozuar, në reflektim të sugjerimeve dhe të praktikës së kaluar”, thuhet në relacionin e qeverisë.

Qeveria gjithashtu thekson se marrja e kredisë nga FMN ka një rëndësi të shtuar pasi merret nga një institucion si FMN, gjë e cila mund të shërbejë si katalizator për të mundësuar marrjen e kredive të tjera nga institucione partnere ndërkombëtare si p.sh. Banka Botërore, Komisioni Evropian, kyçe këto për të plotësuar në mënyrë sa më efektive dhe të dobishme nevojën totale për financim gjatë këtij viti si dhe për të krijuar një linjë mbrojtjeje të financave publike e të ekonomisë në rast të materializimit të risqeve të tjera në periudhën në vijim.

“COVID-19 shkaktoi një goditje të fortë në ekonominë dhe financat publike shqiptare. Nevoja si për likuiditet, ashtu edhe financim të detyrimeve gjatë vitit 2020, ku duke marrë në konsideratë edhe risqet e shtuara për dinamikën e situatës, bën të domosdoshme gjetjen e mënyrave sa më të shpjeta dhe më efektive për mbulimin e këtyre nevojave të shtuara financiare. Në këtë aspekt kjo kredi që do të merret nga FMN-ja, e miratuar nëpërmjet këtij akti, është tepër e rëndësishme për të mbuluar një pjesë të këtyre nevojave”, thuhet në relacion.

Përveç se kjo mundësohet në një kohë relativisht mjaft të shpejtë, gjë që shihet si mjaft e rëndësishme në këtë situatë, kjo kredi ka një rëndësi të shtuar pasi është në një “monedhë të fortë” (SDR) e cila do të injektohet në ekonomi gjatë kësaj kohe nëpërmjet buxhetit të shtetit dhe absorbon një pjesë të goditjes në disa parametra makroekonomikë.

Huaja dhe përqindja

Shuma e Huasë së akordur 139,300,000 SDR (ose mbi 175 milionë euro). Norma e Interesit përbëhet nga (i) një normë bazë (e përcaktueshme nga tregu [0.05% javën që përfundon në 10 prill]) plus një marzh të caktuar nga Bordi Drejtues çdo dy vjet (aktualisht 100 bps); (ii) tarifën shtesë të bazuar në nivel prej 200 bps mbi stokun e kredisë mbi 187.5% të kuotës; dhe (iii) tarifën shtesë të bazuar në kohë prej 100 bps kur shuma e stokut të kredisë qendron mbi 187.5% të kuotës për më shumë se 36 muaj.

Instrumenti që i akordohet Shqipërisë ka një normë huadhënie që do të përfshijë normën bazë të interesit në SDR (0.05%), një marzh të vendosur nga Bordi Drejtues (1%), tarifën shtesë të bazuar në nivel prej 2%, dhe një tarifë shtesë të bazuar në kohë prej 1%, duke e çuar normën totale të instrumentit në 4.05%.

Back to top button
LAJMET E FUNDIT