Lehtësimi i masave, Rama: Kemi një bilanc fantastik, merak sjellja individuale

Rikthimi i normalitetit të ri me kufizime të arsyeshme fillon nga vetëdija e çdo qytetari.
Kryeministri Edi Rama në një reagim në Facebook thotë se vazhdon të mbetet meraku i sjelljes individuale.
“Kjo e dielë e bukur me frymëmarrje më të qetë, do të pasohet nga lehtësime të vazhdueshme në vijim, por mbetet meraku i madh i sjelljes individuale sipas rregullave të mbrojtjes së shëndetit për veten, familjen, shoqërinë!
Deri në daljen e vaksinës, e gjithë bota po shkon drejt një normaliteti të ri, me kufizime të arsyeshme që fillojnë nga vetëdija njerëzore e qytetare e secilit prej nesh”, tha ai.
Rama kërkon që t’i kushtohet vëmendje shëndetit, në mënyrë që të mos rikthehemi mbrapsht.
“Kemi një bilanc fantastik deri këtu, të arritur së bashku dhe është e pajustifikueshme që të kthehemi mbrapsht, si pasojë e mungesës së vëmendjes ndaj shëndetit.
Kalofshi sa më mirë dhe më e mira do të bëhet, me durim, mirëkuptim, bashkëpunim, për familjet tona dhe për Shqipërinë”, shprehet Rama.









