Ministria e Shëndetësisë: 67% e të prekurve me Covid-19 janë shëruar

Pjesa më e madhe e personave të prekur nga COVID-19 janë shëruar. Gentiana Qirjako nga Instituti i Shëndetit Publik, gjatë përditësimit të sotëm deklaroi se që nga fillimi i epidemisë deri më sot janë konfirmuar pozitivë me COVID-19 në të gjithë vendin 795 qytetarë, por në këto momente pothuajse 67 % e tyre rezultojnë të shëruar.
Gjatë 24 orëve të fundit një tjetër zonë e Shqipërisë rezulton me risk të ulët për transmetim të infeksionit, që është Fieri dhe numri total i të shëruarve shkon në 531.
Sa i përket personave që aktualisht janë aktivë me COVID-19, Kruja është në vend të parë me 91 raste, e ndjekur nga Tirana, Kurbini, Shkodra dhe në total janë 233 persona aktivë me COVID19. Gjatë 24 orëve të fundit janë 6 raste të reja me koronavirus.