Protokolli i plazhit 2020/ Drafti që i është ofruar për diskutim bizneseve për masat anti covid-19

Ministria e Turizmit dhe Mjedisit, së bashku me ministrinë e Shëndetësisë kanë përpiluar një draft paraprak për rregullat që duhet të respektojnë pushuesit në plazhet e vendit, baret, restorantet, dhe njësitë e tjera akomoduese. Në protokollin prej 48 faqesh, ministritë kanë hartuar të gjitha rregullat që duhet të ndiqen, me qëllim garantimin e kushteve për çdo individ.
“Për qëllimet e këtij protokolli, “sipërmarrje të aktiviteteve turistike” do të konsiderohet por pa u kufizuar, çdo sipërmarrje që ofron shërbimin e akomodimit, ushqimit/ pijeve, plazheve, aktiviteteve rekreative, transportit të turistëve vendas dhe/ ose të huaj, udhërrëfyesve turistikë etj, përfshirë gjithë stafin e tyre me kohë të plotë dhe/ ose të pjesshme.”, thuhet në draftin e ministrisë.
Ministritë përkatëse propozojnë që vendosja e tavolinave në bare dhe restorante do të bëhet duke respektuar një maksimum prej 4 personash për çdo 10 metra katrorë.
Masa strikte janë parashikuar edhe gjatë larjes së pushuesve në det. Drafti paraprak thekson se gjatë larjes në det, pushuesit vendas apo të huaj, duhet të ruajnë me patjetër distancën fizike prej tre metrash, me përjashtim të rasteve kur prindi kujdeset për fëmijën e mitur.
Rregulla të përgjithshme
2.1 Mbani parasysh rregullat bazë për parandalimin e Covid19:
a) Lani dhe dizifektoni duart, vazhdimisht dhe në mënyrën e duhur
b) Përdorni maskat sipas udhëzimeve
c) Shmangni grumbullimet në njerëz dhe çdo lloj kontakti
d) Mos prekni fytyrën dhe hundët me duar të palara e të padizifektuara
e) Kur kolliteni ose teshtini, mbulojeni gojën/hundën me parakrah ose me facoleta njëpërdorimshe
f) Nëse vini re simptomat e Covid19, telefononi Nr. 127
-Gjatë larjes në det, respektoni distancën 3 m larg nga njëri tjetri, me përjashtim të rastit kur prindi kujdeset për fëmijën e mitur.
-Në tavolinat në beach bar mund të qëndrojë vetëm një person ose më shumë persona, kur bëhet fjalë për anëtarët e një familjeje, si dhe fëmijët e mitur.
– Në marrjen e shërbimeve në ambientet e stacionit të plazhit, respektoni gjithmonë distancën 2 m larg nga njëri tjetri.
-Ruani gjithmonë distancën edhe gjatë shëtitjeve në plazhe, bregun e detit, liqenit, lumit apo përgjatë shëtitoreve.
Ministria e Mjedisit dhe e Shëndetësisë theksojnë se këto masa do të jenë aktive deri në përfundim të gjendjes së epidemisë së shkaktuar nga infeksioni Covid-19. Ajo shton se këto rregulla duhet t’i afishojnë të gjitha stacionet e plazhit. Ky protokoll masash duhet theksuar se ende nuk ka marrë miratimin përfundimtar, por fillimisht ai do të diskutohet nga përfaqësues dhe ekspertë të këtij sektori.