FOTO: Durrësi e Tirana, plot. Disa pyetje pa përgjigje mbi izolimin

Shumë njerëz kanë dalë nga izolimi, duke përfituar edhe nga fasha orare e lëvizjes deri në orën 17:30 me përjashtim të pensionistëve.
Qytetarët në Durrës kanë “pushtuar” bregun e detit. Shumë prej tyre janë nga Tirana. Këta të fundit e kanë menduar si një ditë krejt ndryshe këtë të dielë.
Me automjetet e tyre kanë udhëtuar drejt Durrësit në shumicë.
Ajo që duket se është ndryshe nga të dielat e para karantinës janë vetëm lokalet dhe restorantet që nuk janë hapur ende por që do ndodhë shpejt.
Edhe në Tiranë ka pasur mjaft lëvizje.
Sheshi “Skënderbej” ka qenë i tejmbushur, po ashtu rrugët kryesore të kryeqytetit, por edhe periferitë.
Temperaturat më të mira se dje nuk kanë penguar askënd të dalë në rrugë, ndërsa një ditë më parë lëvizja duket se u kufizua disi për shkak të shiut dhe të ftohtit që shoqëroi pjesën më të madhe të ditës.
A ka rrezik? Mjekët (shumica) thonë po. Autoritetet po ashtu. Thuhet se ka rrezik derisa të dali vaksina. Vetëm se nuk kuptohet: Çfarë ka ndryshuar nga ditët e para të izolimit total, kur ekzistonte i njëjti rrezik? As atëherë, as tani nuk kishte e nuk ka vaksinë.
Për çfarë shërbeu izolimi total që solli kosto shumë të larta ekonomike dhe jo vetëm? Për të lehtësuar shërbimin spitalor? Po a nuk do ndodhë e njëjta gjë tani që nuk ka izolim total? Të gjitha të çojnë tek e njëjta pyetje: Ka apo nuk ka rrezik? U gënjye më parë apo po gënjehet tani?
Apo thjesht askush nuk di asgjë të saktë dhe të gjitha vendimet janë të papjekura dhe bazohen veç te frika?
Duke krijuar kështu probleme të rënda për miliona e miliarda njerëz dhe mundësi të arta për një pakicë spekulantësh?







