Pse nuk ia del dot Shqipëria me kriza si kjo, sipas menaxheres së BB

Mariam Salim, menaxhere e zyrës së Bankës Botërore në Shqipëri gjatë një interviste për ‘Ilva Now’ në Euronews Albania, ka theksuar se vendi ynë është i kufizuar për t’iu përgjigjur krizës së shkaktuar nga COVID-19 për shkak të nivelit të lartë të borxhit publik.

Ndaj, znj. Salim bën thirrje “për maturi” nga ana e qeverisë për masat që duhet të ndërmarrë për të ndihmuar biznesin.

Vendimtare menaxherja e zyrës së BB-së në Tiranë shikon, përgjigjen që qeveria do t’i japë në periudhë afatmesme krizës. Ajo rekomandon për vendin tonë që të vijojë mbështetjen për reformën e rindërtimit dhe reformat e tjera të rëndësishme si forcimit i institucioneve publike, nxitja e konkurrencës në sektori privat dhe përmirësimi i shërbimeve publike.

Pjesë e intervistës

Çfarë mund të bëjë qeveria për të forcuar ekonominë në këto kohë tejet të vështira dhe cili është elementi që ju shqetëson më së shumti, deficiti apo mungesa e të ardhurave në fondin e taksave? Cili është shqetësimi më i madh që ju keni?

Salim: Mendoj se një nga problemet që Shqipëria po ndesh dhe shumë vende të tjera po ashtu është niveli i borxhit publik. Shqipëria ka një nivel të lartë të borxhit publik, gjë që kufizon edhe hapësirën dhe aftësinë për t’ju përgjigjur krizës. Megjithatë qeveria është munduar të tregohet shumë e matur, në lidhje masat që ka ndërmarrë për të ndihmuar biznesin e vogël apo të madh.

Unë nuk e vë në dyshim edhe njëherë, se puna është bërë, se përpjekjet kanë qenë efektive edhe për procesin e rindërtimit pas tërmetit shkatërrues. Kjo duhet të ndihmojë në aspektin ekonomik. Ajo çfarë mund të jetë pak kritike është sesi Shqipëria do të përgjigjet në muajt në vijim, në periudhat afatmesme dhe të vazhdojë mbështetjen për reformat e rindërtimit, të cilat mund të ndikonin në rritjen e produktivitetit.

Reformat e rëndësishme këtu siç i shohim do të ishin forcimi i institucioneve publike, të cilat do të siguronin sundimin e ligjit, ruajtja dhe nxitja e konkurrencës në sektorin privat, adresimi i aftësive në vendin e duhur, përmirësimin e shërbimeve publike për të zhvilluar më tej aftësitë e njerëzve, të gjitha me anë të reformave. Këto janë gjerat që ne nuk duhet t’i harrojmë kur përballemi me krizat të papritura.

Axhenda e reformave strukturore do të jetë ajo që do ta ndihmojë Shqipërinë në rrugën jetike në periudhën afatmesme, të ketë një rritje më të madhe dhe më të qëndrueshme. Po ashtu të ndihmojë të kuptojë sesi mund të jetë më elastike në përballjen me sfida të mëdha të jashtme siç ishte rasti pandemisë së COVID-19.

Sa është aftësia e qeverisë shqiptare për të marrë borxhe apo përfitojë hua, që Bashkimi evropian apo banka të tjera kanë rënë dakord për t’iu dhënë vendeve të rajonit? A është e mundur për Shqipërinë që të marrë më shumë hua?

Salim: Po është e mundur kur kemi të bëjmë me një krizë, pavarësisht siç e përmenda më parë nga nivele të larta të borxhit publik. Në shumë vende kur përballen me kriza të tilla ekziston një mundësi të tillë. Siç e dini Shqipëria ka marrë ndihmë nga Fondi Monetar Ndërkombëtar, Bashkimi Evropian po mundohet të ofrojë mbështetje dhe ne po ashtu po diskutojmë me qeverinë sesi mund të ndihmojmë me anë të mekanizmave të Bankës Botërore, në dy aspekte, atë të përgjigjes së menjëhershme ndaj pandemisë dhe të ruajtjes së shëndetit.

Siç e dini Banka ka të krijuar një program që ofron lehtësi për shkak të COVID-19, programe huaje për vendet e prekura. Pra, ekziston një mundësi që ata të kenë akses të marrin hua dhe shumë partnerë janë të gatshëm ta bëjnë këtë dhe të diskutojnë me qeverinë, për të siguruar mbështetjen që kanë nevojë, qoftë në reagimin e menjëhershëm në krizën shëndetësore apo pasojat sociale. Duke menduar gjithmonë rindërtimin dhe axhendën në terma afatgjatë. Kjo është dhe do të jetë fusha jonë e diskutimeve me qeverinë.

Back to top button
LAJMET E FUNDIT