Operacioni në mesnatë/ Skuadrat e OFL bllokuan depozitat e naftës, shirit bllaokues për autobotet (VIDEO)

Si asnjëherë më parë, skuadra e Operacionit “Forca e Ligjit” e mbështetur edhe nga struktura të tjera policore ka vepruar në mesnatë për të bllokuar depozita nafte në Durrës.
Plani operacional ishte parashikuar pikërisht për në orët e natës, me qëllim të vepruarit pa zhurmë dhe në të njëjtën kohë për të shmangur çdo përplasje të mundshme me pronarët, apo të tjerë persona që furnizohen aty gjatë ditës.
Sipas burimeve të Policisë, sekuestrimi erdhi pas verifikimit në dogana, se kjo naftë nuk kishte kryer të gjitha procedurat ligjore dhe që i përkiste Lulzim Berishës dhe një personi tjetër.
Në operacion morën pjesë përveç OFL edhe strukturat e Specializuara të Hetimit Financiar në Policinë e Shtetit dhe Doganat, që operojnë në luftën kundër informalitetit, evazionit, ushtrimit të aktiviteteve të palicencuara dhe abuzimeve me tregun e hidrokarbureve.
Këtij subjekti, më datë 13.02.2019, me vendimin nr. 85, i ishte revokuar licenca nga autoritetet kompetente shtetërore “Për ushtrimin e veprimtarisë së furnizimit me karburant, për konsum të anijeve në porte”.
Pavarësisht revokimit të licencës, subjekti ka vazhduar të ushtrojë në mënyrë të paligjshme aktivitetin e tregtimit të naftës për peshkimin, duke përdorur shantazhin ndaj konkurrencës dhe duke tentuar të krijojë një monopol kërcënues për operatorët e industrisë së peshkimit.