“2020, viti i distancimit fizik. Moszbatimi rrezikon përhapjen”, Bino sqaron situatën

Tirana ka riskun më të madh të përhapjes së virusit dhe shpërthimit të vatrave të reja. Me lehtësimin e masave dhe dyfishimit të të infektuarve të rinj, ekspertët deklarojnë se rreziku është prezent, veçanërisht në qytetet me dendësi të lartë të popullsisë.
“Tirana ka riskun më të madh të përhapjes për shkak të dendësisë së popullatës, prandaj edhe përqendrimin e rasteve aktualisht e kemi vetëm në Tiranë. Ndaj dhe në momentin që fillon hapja duhet të jemi të kujdesshëm që këto të jenë të izoluar në mënyrë që të mos kemi shpërthime komunitare”, tha Bino.
Në një intervistë për A2, Silva Bino këmbëngul për respektimin e të gjitha masave nga popullata. Përfaqësuesja e Komitetit Teknik kundër COVID-19 thotë se 2020 do të jetë viti i distancimit fizik: “Në momentin që nuk kemi asnjë vaksinë dhe asnjë ilaç efikas, qoftë për trajtimin, qoftë për parandalimin, atëherë na mbetet të kryejmë ato masa që i njohim. Duhet të mësojmë që do të jetë viti i distancës fizike, nuk kemi zgjidhje tjetër. Duhet të heqim dorë nga përqafimet dhe puthjet, që janë natyrisht shenja dashurie që kemi për njëri-tjetrin, por duhet të duam njëri-tjetrin kur nuk e përqafojmë pasi përqafimi sot dëmton”.
Nëse do të kemi një valë tjetër të infektuarish me hapjen, kjo, sipas Binos, do të varet nga sjellja e shoqërisë. Por, numri i rasteve të reja dhe ecuria e sëmundjes do të vendosë edhe fatin e rifillimit të sportit në vend: “Duhet të shikohet deri në 11 maj, do të shohim disa elemente të rëndësishëm të ecurisë së sëmundjes dhe pastaj do të ketë një vendim nga Komiteti Teknik. Virusi ende po qarkullon, duhet të kemi konstante shifren me një numër për disa ditë që të mendojmë për elementë të tjerë”.
Me uljen e pacientëve në Sanatorium, Silva Bino nuk përjashton mundësinë e mbylljes së spitalit COVID-2, megjithatë ky do të jetë një vendim i Komitetit Teknik. Sa i përket vaksinës kundër Covid-19, ajo nuk parashikohet të jetë gati para janarit të vitit 2021.