Liria e medias në Shqipëri, Borchardt: Vetërregullimi, opsioni më i mirë

Raporti i fundit për lirinë e medias, që e pa të përkeqësuar situatën e saj në Shqipëri, nuk duket se erdhi si surprizë për ambasadorin e OSBE-së.
Në një intervistë për A2CNN, Bernd Borchardt tregon disa arsye për këtë, ku të parën rendit paketën antishpifje të Qeverisë.
Në pritje të një përgjigje nga Komisioni i Venecias, ai lë të kuptohet nevojën për një reflektim nga Parlamenti, duke nënvizuar qartë shqetësimin e tij.
“Përfaqësuesi i OSBE-së për Lirinë e Medias ka pasur diskutime të gjata me shumicën në Parlament për këto çështje dhe kjo ka çuar në përmirësime të gjera të projektligjit, por ende nuk ka asgjë që të garantojë, për shembull, proporcionalitetin. Ne e kemi mbështetur gjithmonë vetërregullimin e medias, e kemi nxitur atë përgjatë shumë viteve, dhe sigurisht vetërregullimi është opsioni më i mirë”, tha Borchard.
Përveç kushteve social-ekonomike të gazetarëve dhe fenomenit të kasetave të regjistruara që i shpërndahen medias, kreu i Prezencës së OSBE në Tiranë, ngre edhe një tjetër problem shpesh të shmangur në debatet për lirinë e medias.
“Në përputhje me politikën tonë për të nxitur pluralizmin mediatik dhe në përputhje me raportet e ODIHR-it për zgjedhjet, në veçanti raportin e fundit dhe atë të vitit 2017, ne gjithashtu presim të diskutojmë në lidhje me përqendrimin e pronësisë së mediave në vend dhe çfarë duhet të bëhet për të balancuar situatën”, shton gjermani.
Në intervistën për A2, ambasadori Borchard, vlerëson edhe rikthimin e diskutimit për reformën zgjedhore. Duke kujtuar se është humbur shumë kohë në realizmin e ligjit të ri elektoral, diplomati i kërkon palëve të mos zvarrisin punën.
Sipas Borchardt, “rifillimi i këtij procesi në komisionin e posaçëm të Kuvendit për reformën zgjedhore, është një hap tejet i rëndësishëm përpara për vendin. Ne kemi parë që këshilli politik, në të cilin është e pranishme edhe opozita jashtëparlamentare, ka punuar shumë për të arritur projektet e tij, dhe i nxitim fuqishëm të gjitha palët që të vazhdojnë të punojnë me këtë hov. Dua t’i nxit të gjithë aktorët politikë të vazhdojnë të ecin përpara dhe të mos lejojnë që ky proces i rëndësishëm politik të zvarritet”.
Qershori është afati u fundit që kanë palët politikë ne dispozicion për realizmin e reformës zgjedhore.