Ja çfarë duhet të dini rreth konsumit të alkoolit dhe Covid-19!

Konsumi i alkoolit në asnjë rast nuk do t’ju mbrojë nga Covid-19. Pas të dhënave të marra nga strukturat e shëndetit, ekspertët e Institutit të Shëndetit Publik bëjnë thirrje që të bëhet kujdes me përdorimin e alkoolit. Sipas tyre, në asnjë rrethanë nuk duhet të pini produkte të caktuara alkoolike, si mjet për parandalimin ose trajtimin e simptomave të infeksionit të Covid-19.

“Shmangni konsumin e alkoolit në mënyrë që të mos dëmtoni sistemin tuaj imunitar dhe të mos rrezikoni shëndetin e të tjerëve që janë përreth jush. Mos e përdorni alkoolin si një mënyrë për të përballuar emocionet dhe stresin që jeni duke përjetuar gjatë kësaj periudhe. Kjo pasi izolimi dhe pirja e alkoolit mund të shtojnë rrezikun për vetëvrasje. Duhet të kërkoni menjëherë ndihmë të specializuar mjekësore nëse keni mendime të tilla gjatë kësaj kohe. Po ashtu kërkoni ndihmë nëse ju apo diksuh tjetër afër jush ka pirë alkool më shumë se sa duhet”, bëjnë me dije specialistët e ISHP-së.

Një tjetër këshillë që nuk duhet neglizhuar është edhe përdorimi i alkoolit nëse jeni duke marrë medikamente. “Mos përzieni alkoolin me barna, qofshin këto edhe me natyrë bimore, pasi kjo mund t’i bëjë këto medikamente më pak efektive, ose mund të ndodhë që të rrisë fuqinë e tyre në një tjetër nivel, ku barnat mund të bëhen toksike dhe të rrezikshme”, sqarojnë më tej specialistët e shëndetit publik.

Sipas tyre duhet të shmangni pirjen e alkoolit dhe duhanit së bashku, pasi kjo rrit rrezikun për t’u prekur nga Covid-19.

Gjithashtu këshillohet që të diskutoni me fëmijët dhe të rinjtë për problemet që lidhen me pirjen e alkoolit dhe Covid-19, sic janë shkeljet e rregullave të karantinës dhe distancës fizike, të cilat mund ta përkeqësojnë pandeminë. “Sigurohuni që t’i mbani fëmijët larg alkoolit dhe të mos pini në prani të tyre. Monitoroni kohën e kaluar të fëmijëve pranë ekranit, pasi në televizor ka shumë reklama që mund të promovojnë pirjen e alkoolit, e cila mund të stimulojë tek fëmijët fillimin e hershëm të alkoolpirjes”, vënë në dukje specialistët e ISHP-së.

Back to top button
LAJMET E FUNDIT