Zbulohet motivi pse terroristi nga Taxhikistani nuk e ekzekutoi biznesmenin shqiptar
Në 15 prill të këtij viti, e gjithë media jo vetëm në Shqipëri por edhe në Evropë përcolli lajmin e zbulimit të një grupi terrorist në Gjermani, të arrestuar me urdhër të prokurorisë. Katër persona përfunduan në pranga, ndërsa anëtari i pestë i bandës ndodhej në paraburgim që prej muajit mars.
Por, më shumë se kaq, lajmi mori rëndësi, sepse bëhej fjalë për një krim që do kryhej në Shqipëri. Një prej anëtarëve të grupit terrorist ishte ngarkuar nga organizata terroriste të kryente një vrasje në Shqipëri përkundrejt vlerës prej 40 mijë dollarë.
Por kush ishte terroristi dhe objektivi i atentatit?
I shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Gjermania, Komron Zukhurov u kap në Shqipëri dhe tashmë është nën masën e arrestit burg pa afat deri në momentin e ekstradimit në Shqipëri. Të dhënat e deritanishme dhe që konfirmohen dhe nga Policia bëjnë me dije se Komron Zukhurov nga Taxhikistani kishte për qëllim që të vriste pronarin e “Gulf”, Albano Alikon. Dhe për këtë do të paguhej 40 mijë euro.
Dhe e gjithë kjo në kuadër të gjetjes së financimeve dhe më pas nisjes së akteve terroriste, sipas planifikimit. Por, kontrata dështoi. Dy ishin arsyet. E para, pamundësia për ta kryer një gjë të tillë në Shqipëri, pasi bashkëpunëtorët nuk kishin liri veprimi dhe e dyta, pamundësia e lëvizjes e aq më tepër në kushtet e një pandemie.
Por Policia shqiptare bën të ditur një tjetër fakt. Ekzekutimi i biznesmenit nuk ndodhi për faktin se ai ndodhej në masën e sigurisë “arrest shtëpiak”, shoqëruar me vendimin për ruajtjen me Polici.
Pra, në shtëpinë e Alikos kishte prezencë të Policisë në çdo kohë dhe kjo bëri të pamundur kryerjen e krimit për të cilin ishte paguar taxhikistanezi.
Krimi ishte menduar të kryhej në mesin e muajit mars, atëherë kur kaosi edhe me fluturimet ajrore ishte më prezent se kurrë. Sipas burimeve të Policisë së Shtetit bëhet e ditur, se ishte marrë përmes burimeve të ndryshme një informacion i tillë.
Ndërkohë, për këtë person dhe të tjerët dosja e hetimit ndodhet në duart e prokurorëve gjermanë. Autoritetet thanë se të arretuarit ishin në kontakt dhe merrnin udhëzime nga drejtuesit e lartë të Shtetit Islamik në Siri dhe Afganistan.