Kancelarja Merkel porosit Thaçin dhe Vuçiçin të arrijnë një marrëveshje Kosovë-Serbi
Kancelarja gjermane Angela Merkel u ka bërë thirrje liderëve të Kosovës dhe Serbisë që të përveshin mëngët dhe të arrijnë një marrëveshje mes tyre.
Merkel ka porositur Presidentin e Kosoves, Hashim Thaçin dhe homologun, Aleksandar Vuçiçin që marrëveshjen historike Kosovë-Serbi ta arrijnë gjatë këtij viti.
Kancelarja Merkel ka porositur Thaçin dhe Vuçiçin që të marrin mësim nga marrëveshja e ndërkombëtare e Prespës, e cila është firmosur nga kryeministri i Maqedonisë së Veriut Zoran Zaev dhe ai i Greqisë Aleksis Tsipras, ujdi e cila i dha fund mosmarrëveshjes dy dekadëshe lidhur me emrin e ri të Maqedonisë së Veriut.
Qe marrëveshja duhet të arrihet gjatë këtij viti, ka porositur në shumë raste edhe emisari special i presidentit amerikan Donald Trump, Richard Grenell.
Nga ana tjetër, i deleguari i Bashkimit Europian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak kishte deklaruar se dakordi ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit mund të arrihet këtë vit, eventualisht deri në mars të 2021.