Protesta për heqjen e karantinës/ Në hetim 7 persona, gjobiten me 500 mijë Sazan Guri dhe 2 të tjerë
Policia e Tiranës ka proceduar penalisht në gjendje të lirë 7 protestues, mes tyre edhe tre organizatorët e tubimit të një dite më parë në sheshin “Skënderbej” kundër masave ndaluese të qeverisë për koronavirusin.
“Procedimi ndaj tyre nisi pasi në datë 7 maj 2020, rreth orës 11:30, te sheshi “Skënderbej” kanë protestuar në mënyrë të paligjshme, pa lejen e organeve kompetetente, duke prishur rendin dhe qetësinë publike, aq më tepër në situtatë të jashtëzakonshme në kohë pandemie, ku ndalohen me ligj grumbullimet apo tubimet”.
Policia thotë se shtetasit Zaçe Islami, Sazan Guri dhe Klajdi Bello në rolin e organizatorëve të protestës, më herët kanë bërë thirrje në rrjete sociale për protesta e tubime.
“Në vijim të veprimeve janë siguruar pamjet filmike dhe fotografike, si dhe është bërë këqyrja e rrjeteve sociale, pasi nga këta shtetas (organizatorët) bëhen thirrje për protesta dhe tubime.Nga ana e shërbimeve të Policisë janë vendosur masa administrative/gjoba, pasi asnjëri prej tyre nuk ka patur autorizim për të dalë, bazuar në nenin 3 të Aktit Normativ Nr. 3, datë 15.03.2020”.
Por menjëherë pas këtij lajmi, Sazan Guri ka mbajtur një postim në Facebook, ku shpjegon se pse vendim i qeverisë për zgjatjen e gjendjes së fatkeqësisë natyrore është antikushtetues.
“Një popull që e pëlqen mashtrimin, pa frikë mund të quhet bashkëpunëtor me të. Më keq akoma, kur një popull nuk e vret mendjen sesi mashtrohet nuk quhet i urtë, por prore kalama”, shkruan Guri.
Ndërsa edhe avokat Jaçe në rrjetet sociale bën thirrje për të protestuar dhe se e quan për nder që u ndalua nga policia. “Të protestosh kundër tiranisë dhe të mbrosh popullin tënd e familjen nga një sundimtar i neveritshëm është nder të të shoqërojnë në polici. Unë në radhë të parë falënderoj ata burra dhe gra që më mbështetën në protestën më qytetare duke ju dhënë një mesazh të fuqishëm oligarkëve politiko-ekonomikë se nuk mund të na burgosin”, shkruan Zaçe.