Dash Shehi: Operatorët turistikë në Shqipëri të ulin çmimet që të mbahen në këmbë

Ish-deputeti Dash Shehi iu ka rekomanduar operatorëve turistikë në Shqipëri që të ulin çmimet në mënyrë që t’i mbijetojnë krizës.
“Unë do t’i jepja një këshillë edhe operatorit turistik, të ulë pak çmimet. Ti liberalizojë në një farë mënyre, që kjo industri të mbahet në këmbë. E dyta do ti thoja qeverisë që ka në mekanizëm që të paktën për sektorin e hotelerisë që mund ta subvencionojë. Të marrë numrin e shtretërve dhe dhomave dhe ti bëjë një subvencionim. Ti japë psh 10 euro për cdo dhomë apo për çdo shtrat. Pavarësisht se çdo fitojë ai. Ky është subvencion që i jep shteti shqiptar për ta lubrifikuar makinerinë”, u shpreh Shehi në Ora Neës.
Gjithashtu, Shehi ka kërkuar që qeveria të mbështesë turizmin dhe bujqësinë, pasi pas dy muajsh çdo ndërhyrje do jetë e pavlerë.
“Janë dy sektorë për të cilët duhet ndërhyrë shpejt. Turizmi dhe bujqësia. Po i ikën edhe këto dy muaj që janë periudha përgatitore për turizmin dhe bujqësinë, ajo që do bëhet me prapa nuk do ketë me vlerë. Këto dy sektorë të dalin të rrënuar nga pandemia. Sektorët e tjerë nuk e kanë sezonalë, do vuajnë por do ta marrin veten. Janë dy sektorë shumë të rëndësishëm. Prandaj qeveria të ndërhyjë shpejt dhe në mënyrë masive. Këto po llogarisin për ditë sa do t’i japim këtij apo atij”, përmbylli ish-deputeti Dash Shehi.