Samiti i Zagrebit/ Shqipëria, më pranë apo më larg procesit të anëtarësimit?

Në kushte normale, 2020 do të ishte në nisje të tij një vit i mbarë për integrimin e Shqipërisë dhe kryefjalë do të duhej të ishte perspektiva europiane. Mirëpo, këtë vit, javës së Europës, i parapriu dhe i bëri hije Covid-19.
Përveçse me koronavirusin, lufta në një tjetër front për qeverinë shqiptare do të jetë me kohën! Ambasadori i Bashkimit Europian Luigi Soreca në A2 tha se ishte e paevitueshme që pandemia globale të mos infektonte procesin e integrimit. “Ka qenë e pashmangshme që kjo që ndodhi me pandeminë, mos të ngadalësonte punën për negociatat. Por tani puna do të nisë përsëri. Mekanizmi do te vihet sërish në punë”.
Edhe Samiti i Zagrebit, që do të ishte vendtakimi i radhës i liderëve të vendeve të Ballkanit Perëndimor më 6 maj me BE, solli një përmbysje të agjendës. Përpara mbajtjes se tij, analistët nuk pritën shumë nga ky takim për vendin. Sipas Afrim Krasniqit, drejtuesit të Institutit të Studimeve Politike, këto 8 javë të infektuara me Covid-19, nuk kanë prodhuar asnjë rezultat për kushtet e kërkuara nga BE. “Shqipëria nuk ka një përgjigje për të ofruar në Samitin e Zagrebit dhe nuk ka as pritshmëri për rezultatet e këtij samiti në lidhje me Shqipërinë”, u shpreh Krasniqi. Ndërsa për kreun e European Movement of Albania, Gledis Gjipali, situata duket njësoj gri për të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor, për shkak të vëmendjes së shtuar për Covid-19.
Të mërkurën e 6 majit për më shumë se 4 orë, liderët e Ballkanit Perëndimor dhe ata të Bashkimit Europian, diskutuan mes tyre virtualisht mbi perspektivën europiane dhe për përballimin e përbashkët të pandemisë Covid-19. “E ardhmja e Ballkanit Perëndimor padyshim është në familjen europiane”. Ky ishte afirmimi i përbashkët që solli Samiti i Zagrebit, që përfundoi me nënshkrimin e deklaratës së përbashkët me 20 pika, por që në asnjë rresht të saj nuk flitej për zgjerimin apo për një datë konkrete.
“Nuk ka dyshim, që Ballkani Perëndimor i përket BE-së. Unë u bëj thirrje qeverive të këtyre vendeve që të vazhdojnë të zbatojnë reformat, veçanërisht për sundimin e ligjit, luftën kundër korrupsionit dhe garantimin e lirisë së mediave”, tha Ursula von Der Leyen.
Në të njëjtën linjë ishte edhe presidenti i Këshillit Evropian, Charles Michel, i cili konfirmon mbështetjen për Ballkanin Perëndimor, por i mëshoi faktit se temë e pare e samitit ishte Covid-19. BE ka vendosur të ndihmojë rajonin tonë me 3,3 miliardë euro.
Në dokumentin me 20 pika, ndër të tjera, theksi vihet dhe te disa çështje të tjera të ndjeshme. Intensifikimi dhe përshpejtimi i negociatave dhe zbatimit të reformave në procesin e përafrimit me “Acquis Communautaire”, -BE-ja mbështet plotësisht zotimin e partnerëve të Ballkanit Perëndimor për bashkëpunim rajonal gjithëpërfshirës dhe forcimin e marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë –Parandalimi dhe lufta ndaj terrorizmit dhe ekstremizmit – Partnerët e Ballkanit Perëndimor pranojnë se rezultatet në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar janë thelbësore për transformimin politik e socio-ekonomik të rajonit.
Me tej, politika e Tiranës ka lente të ndryshme leximi për situatën. Ajo çfarë për qeverinë është një vazhdimësi e një zinxhiri të pashkëputur përparimesh për në rrugën drejt dyerve të BE, për opozitën është dëshmi e dështimit qeveritar.
Pavarësisht kohës së pandemisë që po kalojmë, detyra e radhës për qeverinë shqiptare, është e qartë. Përmbushja e detyrimeve të vendosura nga Bashkimi Europian, që do të mundësonin uljen e Shqipërisë në tryezën e parë të mbledhjes ndërqeveritare, si një vend që kërkon një valëvitje të denjë të flamurit shqiptar, mes atyre të vendeve të unionit.