Zjarri në MSH dogji provat e tenderave? Ministrja përgënjeshtron PD

Në zyrën e prokurimeve të Ministrisë së Shëndetësisë nuk ka rënë asnjë zjarr, sipas ministers Manastirliu. Në një reagim në faqen e saj të Facebook ajo i është përgjigjur akuzave që bëri pak më parë kreu i PD, Lulzim Basha.

“Nuk ka asnjë zjarr në Ministrinë e Shëndetësisë! Tymi i zjarrit imagjinar që po shihni dhe dëgjoni, del vetëm nga koka e kryetarit të PD. Dikush duhet t’i hedhë ujë në sy që ta zgjojë nga gjumi”, shprehet Manastirliu.

Në një bashkëbisedim me gazetarët, kreu demokrat Lulzim Basha iu rikthye argumentit të tenderave sekret të organizuar nga Ministria e Shëndetësisë, por tashmë me një tjetër të dhënë. Sipas Bashës në zyrën e prokurorimeve në katin e katërt të Ministrisë së Shëndetësisë ka rënë zjarr. Duke i bërë thirrje SPAK-ut të hetojë për ngjarjenm Basha tha se ky është një test për jetë a vdekje për këtë institucion.

Ndërkaq nga ana tjetër ka reaguar edhe sekretari i Përgjithshëm i PD, Gazment Bardhi shprehet se ministrja Ogerta Manastirliu gënjen kur thotë se nuk ka rënë zjarr në zyrën e prokurimeve në Ministrisë së Shëndetësisë. Ai deklaroi se disponon prova, të cilat do t’i publikojë të dielën.

Për Bardhin, ministrja duhet të bëhet pjesë e hetimit jo vetëm për vjedhjen me tenderat sekretë, por edhe per manipulimin e dokumenteve përmes djegies. Ndërkohë, paralajmëroi Manastirliun se nuk do t’i shpëtojë burgut duke zhdukur provat.

 

Back to top button
LAJMET E FUNDIT