Albin Kurti dhe i gjithë stafi i tij në vetëizolim

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti dhe i gjithë stafi i tij i ngushtë janë vetëzoluar, pasi kanë rënë në kontakt me një person që dyshohet se mund të jetë infektuar me koronavirus.

Kurti dhe stafi i tij kanë pasur kontakt me një zyrtar të Ministrisë së Integrimeve Evropiane, i cili po ashtu ka pasur kontakt të ngushtë me një person që ka dal pozitiv me koronavirus.

Lajmi u konfirmua fillimisht nga zëdhënësi i Qeverisë në detyrë, Përparim Kryeziu, i cili ka thënë se Kurti është në pritje të rezultatit të zyrtarit të ministrisë për të parë se si duhet të veprojë.

Më pas, kryeministri në detyrë konfirmoi vetë lajmin përmes një statusi në Facebook. “Sot është dita e parë kur nuk do të dal në punë në Kryeministri Një zyrtar i Ministrisë së Integrimeve Europiane ka pasur kontakt të ngushtë me një nga personat e dalë pozitiv në testin për COVID-19. Janë marrë mostrat dhe po presim rezultatin. Unë kam pasur kontakt me të, sikurse edhe punonjës të tjerë në kryeministri, ndonëse gjithnjë duke respektuar rregullat për distancën fizike. Nga sot jam në vetëzolim në banesë gjersa të dalin rezultatet e testimit”, shkroi Kurti.

Kreu në detyrë deklaroi se do të vazhdojë të kryejë funksionet e tij në largësi.

Autoritetet shëndetësore në Kosovë raportuan 14 raste të reja me Covid-19 të dielën, numri më i lartë që prej fillimit të muajit maj.

Në total, 884 persona janë prekur nga koronavirusi në Kosovë, nga të cilët 28 kanë humbur jetën dhe 655 janë shëruar.

Back to top button
LAJMET E FUNDIT