Vetëm 12 raste të reja me koronavirus, Kosova paralajmëron ashpërsimin e masave

Në Kosovë, paralajmërohet ashpërsim masash nëse nuk respektohen thirrjet për zbatimin e rregullave të lëvizjes. Zëdhënësi i ministrisë së Shëndetësisë, Faik Hoti foli pas mbledhjes së Komisionit për Shëndetësisë dhe Mirëqenie Sociale, duke theksuar se institucioni ka tërhequr vëmendjen ndaj faktit që qytetarët duhet të zbatojnë masat për parandalimin e pandemisë në mënyrë që të shkohet me fazën e dytë.
“Sot komiteti ka diskutuar situatën epidemiologjike dhe bën thirrje edhe një herë që qytetarët të zbatojnë masat sepse kemi parë këto kohë mungesë disipline. Në rast se numri i rasteve të infektuara rritet, atëherë institucionet do të detyrohen të ashpërsojnë masat, ndaj këmbëngulim edhe nëj herë në respektimin e tyre, në mënyrë që vendi të shkojë drejt fazës së dytë”, tha Hoti.
Faza e dytë në Kosovë pritet të nis në 18 maj 2020. Klinika Infektive e QKUK-së njoftoi sot se janë shtruar 12 pacientë me koronavirus. Dy prej tyre, janë në gjendje të rëndë. Kosova numëron gjithsej 895 raste dhe 28 vdekje nga pandemia.