Del raporti/ Shqiptarët nuk besojnë te Drejtësia, ja në cilat institucione japin ryshfet

Korrupsioni, besimi në institucionet e vendit, gjykatat, prokuroria dhe shëndetësia kanë qenë pjesë e një sondazhi të Institutit për Demokraci dhe Ndërmjetësim, me një kampion prej 2500 të anketuarish në shkallë vendi.
Sondazhi është realizuar gjatë periudhës nëntor-dhjetor 2019 në të 61 bashkitë e vendit, duke përdorur një kampion përfaqësimi prej 2,500 të anketuarish të zgjedhur në mënyrë rastësore në rang kombëtar. Gjetjet janë grupuar në 9 seksione kryesore.
Por, pika më kryesore padyshim që është korrupsioni, ai për të cilin flasin të gjithë dhe që në jo pak raste është thënë se ndikon në rritjen ekonomike të vendit.
Pjesa më e madhe e qytetarëve shqiptarë të pyetur në këtë sondazh e perceptojnë korrupsionin e nivelit të ulët (87.5%) dhe korrupsionin e nivelit të lartë (85.2%) si fenomen të përhapur ose shumë të përhapur në shoqërinë shqiptare.
Gjykatat/gjyqësori, sistemi shëndetësor, prokuroria dhe qeveria shihen si institucionet më të korruptuara nga të anketuarit. Shqiptarët janë skeptikë për ndëshkimin e rasteve të korrupsionit. 6 nga 10 të anketuar nuk kanë besim në ndëshkimin e rasteve të korrupsionit të nivelit të ulët dhe 7 nga 10 të anketuar nuk kanë besim në ndjekjen penale të rasteve të korrupsionit të nivelit të lartë.
Sipas shifrave në vitin 2019, 15 për qind e shqiptarëve kanë qenë dëshmitarë të korrupsionit të qeverisë në nivel qendror dhe 25.2 për qind në nivel vendor. Nga 34.8 për qind e të anketuarve që morën një shërbim në nivel qendror, 19.1 për qind kanë paguar ryshfet për atë shërbim.
Në nivel vendor, nga 64.1 për qind e të anketuarve që morën një shërbim në 2019, 35.8 për qind kanë paguar ryshfet për marrjen e atij shërbimi.
Të anketuarit thanë se kanë paguar ryshfet, sepse u është kërkuar të japin ryshfet (41.3%), për të marrë një shërbim më të mirë herës tjetër (31.2%), si mirënjohje për shërbimin e marrë (17.9%) ose sepse “nëse nuk paguan, (zyrtarët) të gënjejnë duke të thënë se nuk mund të më ndihmojnë dot”.
Në vitin 2016, Shqipëria ndërmori një proces jashtëzakonisht sfidues të reformimit të sistemit të saj të drejtësisë, duke synuar të luftojë korrupsionin e përhapur dhe ndikimin politik si dhe të (ri)ndërtojë besimin e publikut tek sistemi gjyqësor. Kjo paketë komplekse reformash nisi me procesin e vetingut për të gjithë gjyqtarët dhe prokurorët dhe me ngritjen e institucioneve të reja siç janë Struktura e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK).
Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara, së bashku me partnerë të tjerë ndërkombëtarë, i mbështetën fuqimisht reformat dhe, nga ana tjetër, kanë evidentuar përparimin me zbatimin e tyre, veçanërisht me procedurën e vetingut (Progres Raporti i KE për Shqipërinë, 2019). Si BE ashtu dhe SHBA i kanë kërkuar qeverisë dhe aktorëve politikë në Shqipëri të ruajnë dhe thellojnë ritmin e reformës, veçanërisht në fushën e gjyqësorit dhe shtetit ligjor.
Në vitin 2019, 52.7% besojnë se reforma në drejtësi do të ketë ndikim pozitiv në zhvillimin e vendit. Megjithatë, vetëm 31.5% besojnë se besojnë se reforma nuk po zbatohet siç duhet. Edhe pse pritshmëritë pozitive për reformën në drejtësi shihen tek pak më shumë se gjysma e popullatës së anketuar (52.7%), perspektivat për zbatimin efikas të reformës në drejtësi në praktikë vazhdojnë të jenë të ndara. Plot 48.5% e të anketuarve besojnë se reforma nuk po zbatohet siç duhet. Vetëm 31.5% besojnë se besojnë se reforma në drejtësi po zbatohet me korrektësi.