Shkodra ‘zonë e kuqe’, por numri i vdekjeve 15% më i ulët se viti i kaluar, (SHIFRAT kontradiktore mes Gjendjes Civile dhe ‘studimit të papublikuar’ të Bashkisë)

Një nga debatet më të bujshme gjatë muajve të fundit, është edhe raporti apo krahasimi i shifrave zyrtare me ato reale, në lidhje me infektimet dhe vdekjet si pasojë e pandemisë së Koronavirusit.
Në një masë të gjerë, zëra opozitarë po edhe aktorë socialë, kanë aluduar për një numër më të lartë viktimash, krahasuar me ato që janë publikuar zyrtarisht nga Ministria e Shëndetësisë. Aludimet, këto të pabazuara në fakte konkrete, janë bërë për disa zona të Shqipërisë, por Newsbomb.al ka analizuar disa fakte, vetëm për Bashkinë e Shkodrës.
Ish-deputeti i Partisë Demokratike, Bardh Spahia, deklaroi dje në News24, se Bashkia e Shkodrës ka bërë një studim, në të cilin ka rezultuar se numri i vdekjeve në këtë Bashki, në muajt e parë të vitit 2020, është 40% më i lartë se në të njejtën periudhë e vitit 2019, dhe sipas tij, kjo gjë duhet të hetohet, pasi kjo rritje e numrit të vdekjeve mund të ketë ardhur si pasojë e Covid-19.
“Është një studim i Bashkisë Shkodër, e cila thotë se ka një rritje me 40% e numrit të të vdekurve në muajt e parë të 2020-ës krahasuar me 2019-ën. Ky studim do edhe një miratim, vullnet për ta realizuar. Ky fakt i Bashkisë kërkon hulumtim të thellë, pasi mund të tregojë edhe situatën reale, pra mund të jenë vdekje të shtuara si pasojë e Covid-19. Problemi më i madh në këtë situatë është mungesa e testimeve”,- tha Spahia dje në mbrëmje.
Ndërkohë në 6 prill 2020, kryebashkiakja e Shkodrës, Voltana Ademi, tha në një televizion shqiptar se numri i të infektuarve është më i lartë se sa paraqitet zyrtarisht, duke aluduar se mund të ketë pasur edhe vdekje, të cilat kanë ardhur si pasojë e Covid-19, por nuk janë raportuar si të tilla.
Newsbomb.al kontaktoi me zëdhënësin e Bashkisë së Shkodrës, z.Blerti Delija, për të marrë më shumë informacion në lidhje me studimin që ka bërë Bashkia, ku ka rezultuar një rritje me 40% e numrit të viktimave, mirëpo zëdhënësi tha se në dijeninë e tij, zyrtarisht nuk ka një studim të tillë ndonësë këtë gjë demokrati i Shkodrës, Bardh Spahia për këtë “studim” ka folur me zë dhe figurë.
Ndërkaq, duke iu referuar disa të dhënave zyrtare të publikuara nga zyra e Gjendjes Civile, vihet re se në Bashkinë Shkodër (jo qarkun Shkodër), ka jo 40% më shumë vdekje, por 15% më pak. Konkretisht: Në periudhën janar-mars 2019 kanë humbur jetën 340 persona në Bashkinë Shkodër, ndërsa në periudhën janar-mars 2020, kanë humbur jetën 289 persona, 51 më pak, 15% më pak.
Por duke lënë mënjanë shifrat e Gjendjes Civile, më 28 prill 2020, Dom Vlash Palaj, ka bërë publikimin e shifrave të vdekshmërisë për Famullinë e Shkodrës (Kisha Katolike), e cila mban shënimet e saj për besimtarët katolikë, sipas priftërinjve që dërgojnë për rite fetare.
Sipas Dom Vlashit, në Famullinë e Shkodrës, ka 27 vdekje më pak në periudhën janar-prill 2020, krahasuar me janar-prill2019, konkretisht: 60 këtë vit, 87 vitin e kaluar, në katër muajt e parë të vitit.
Ja çfarë shkruan Dom Vlash Palaj:
Në Katedrale ndodh mrekullia!
Sa e çuditshme, po aq e mrekullueshme…!
Çdo rast vdekjeje në Famullinë tonë regjistrohet por ka diçka që habit ketë vit, kur dimë që jemi:
- Nën tiraninë e panikut dhe të dhunës psikike, ku çdo kush të thotë rri në shpin tende, athu se nuk e di.
- Nën friken e pandemisë.
- Nën friken e falimentit ekonomik.
- Në një kohë, kur ti telefonon urgjencën dhe të thonë rri shpi.
- kohë kur spitali të shtyn operimin.
- kohë kur njerëzit ka frik të paraqiten në spital për të mos marr sëmundje.
- Në kohen e kovidit, dhe ma keq se ai, në kohën e sharlatanëve politik që bëjnë si ekspert të çdo gjëje, e ta mërzisin jetën! Si përfundim, jemi në një kohën kot!
Mrekullia don që këtë vit, në Famullinë tonë, të kemi ma pak raste vdekjeje. Konkretisht:
Nga 1 janar – 27 prill 2019, gjithsej 87 raste vdekjeje.
Nga 1 janar – 27 prill 2020, gjithsej 60 raste vdekjeje.
Diferenca 28 vdekje më pak ose ma mirë, 28 jetë ma shumë.
Mrekullia e lutjes, kohë për Zotin dhe qëndrimit në familje, sipas meje, ka ba që jeta të ruhet ma shumë.
Bota flet për vdekje, Kisha flet për jetë. Ky është absurdi, kjo është diferenca.
Duke u bazuar në faktet e sipërpërmendura, vlen të theksohet se deklarata e Spahisë për studimin e Bashkisë Shkodër, meriton të faktohet, duke bërë publik studimin e Bashkisë, në të cilin thuhet se shifrat e vdekjeve janë më të larta, ose të përgënjeshtrohet, duke qetësuar kështu opinionin publik lokal në qytetin e Shkodrës.
Bashkia duhet të ballafaqojë të dhënat e saj me ato zyrtare. Nëse Zyra e Gjendjes Civile Shkodër, të tjera të dhëna i jep INSTAT-it dhe të tjera Bashkisë, atëherë ky është problem tjetër që meriton vëmendje të veçantë të analizohet dhe të nxirret përgjegjësia.