Aviatorët krenarë dhe avionët e harruar

Në respekt të një përvjetori të pilotëve dhe teknikëve të aviacionit luftarak shqiptar, të cilët më 15 maj të këtij viti mbushin 65 vjet nga krijimi i Regjimentit të parë me avionë luftarak reaktivë, tipi më modern për atë kohë në Shqipëri

Nga Gëzim Voda

Çështja e kujtesës, mirënjohjes dhe respektit për çdo arritje me vlerë në kohë të caktuara dhe e përkujdesjes që duhet të tregojnë brezat dhe strukturat qeverisëse të një vendi për të mbajtur gjallë këtë frymë, jo vetëm që lartëson vetëdijen dhe krenarinë kombëtare të një vendi, por çmon edhe kontributin e atyre personazheve që kanë sakrifikuar për to. Bota e përparuar përmes këtij standardi ka ecur parpara. Kjo, nuk ka të bëjë as me ndryshimet qeverisëse të kohë pas kohe, e as me ndryshimin e sistemeve politike. Ajo që është arritur me djersën, gjakun dhe stërmundimin e bijve të një populli, e që është faktuar e vulosur në histori, nuk mund të shbëhet subjektisvisht, por i qëndron denjësisht çdo kohe. Në të kundërtën, ose do të mbeteshim me histori të cunguar,ose me histori të përmbysur. Madje, dhe pa histori fare. Fjala vjen, çfarë do të ndodhte, sikur Hidrocentralet tona si burimi bazë i energjitikës sonë, të injoroheshin dhe të etiketoheshin si vepra “pa vlerë” vetëm pse ata janë ndërtuar në sistemin komunist? Ose, ç’fitimi do kish shoqëria shqiptare, sikur armata e madhe e intelektualëve dhe akademikëve të këtij vendi, të mos përfillej vetëm pse ajo ishte shkolluar dhe kish kontribuar në atë sistem? Po ashtu, si mund të përbuzeshin ndërtime monumentale në Kryeqytet (sikurse jane godinat ministrore, Banka e Shtetit etj), apo dhe ndërtime të ngjashme gjetkë, nga që ato janë të periudhës zogiste?, etj. Do të ndodhte, sikurse i thonë një fjale: “t’ia fusje vetvetes…” me dashje! Do të ngjante si me Lëvizjen Proletkurte në Rusinë e pas Revolucionit të Tetrit 1917, ku një rrymë bollshevikësh ekstremistë të Leninit, kërkonin të shkulnin shinat e hekurudhave duke i quajtur “cariste” nga që ato ishin ndërtuar në kohën e Carit, dhe tashmë duheshin bërë “me shina komuniste”!?. Do kish ndodhur hataja në Botë , nëse shkohej me këtë “kut”.

Gjithësesi, nuk kemi shpëtuar nga dukuri dhe veprime të tilla ekstreme. Ndërsa kemi kuptuar e dënuar disa veprime sektare te së djeshmes komuniste, çuditërisht në këto 30 vite tranzicion ka ndodhur kopjim për keq i atyre gabimeve. “Proletkurtët” majtistë të Leninit, tashmë po shfaqeshin në Shqipëri, si “proletkurtas” djathtistë të ish majtistit Sali. Një paradoks më vete! Dhe, jemi dëshmitarë kur segmente të caktuara të politikës së ditës dhe militantë të tyre ekstremistë, në vitet ’90-të e në vijim u sollën mohues ndaj mjaft arritjeve të së djeshmes, vetëm për faktin se ishin”komunisto-socialiste”. Prej kësaj fryme, ndodhi grabitja dhe shkatërrimi me inat i jo pak pronave publike si uzina, fabrika, kombinate, ndërmarrje, kinema, shtëpi kulture, muzeume dhe qëndra shëndetësore fshati, toka bujqësore etj, dhe u shkërmoqën struktura të tëra të mbrojtjes kombëtare, ndër të cilët edhe arma e aviacionit tonë luftarak, krenaria lavdiplotë e ushtrisë shqiptare. Mjafton të themi se nga 4 Regjimente me mbi 240 avionë (thuajse tërësisht luftarakë), ku 3 prej të cilëve me rreth 200 avionë reaktivë (disa deri të fjalës së fundit), në vitin 2005 u nxorën “të padobishëm” për kohën që erdhi. Qindra pilotë e teknikë që ishin përgatitur ndër vite jashtë dhe brënda vendit e që kishin lidhur qënien e tyre me këtë armë, u nxorën në lirim ose “në pension” para kohe. Konkluzioni: as avionët luftarakë dhe as pilotët e teknikët e tyre, nuk vlenin më “në demokraci”! Kësisoj, “proletkurtët” tashmë kishin mbritur edhe për këtë strukturë. Një vendim prej qeveritarësh, të cilët nuk kishin patur kurrë lidhje fizike e shpirtërore me këta njerëz dhe këtë armë, por përkundrazi i trëmbte termi “luftarak”. Pse të mos themi edhe frika nga ndonjë “paudhësi” e kësaj arme ndaj qeversjes që po u bënte gjëmën. Ishin paragjykuar edhe ngjarjet e vitit 1997, ku mjaft aviatorë nuk kaluan në aventurë për të zbatuar urdhra kriminalë, antipopull.

Prej atij viti (2005-s), të 200 vionët reaktivë u lanë të dergjen anërruge afër Rinasit, ose nëpër cepat e aerodromit të Kuçovës, pa folur për ata që janë “burgosur” në tunelet e malit të Kakariqit në Gjadër e ndofta dhe gjetkë. Shkurt: do të shkonin drej harresës.
Prej asaj kohe, Shqipëria që dje konsiderohej një “superfuqi ajërore” në Ballkan, mbeti pa aviacion luftarakë, por vetëm me ca helikopterë, me destinacion kryesisht humanitar! Ishte një zhvlerësim i qëllimtë i teknikës fluturuese, jo se ajo ishte bërë e papërdorshme teknikisht, apo se aq e kishte jetëgjatësinë, por u zhvlerësuan me dhunë politike. Ndërkohë, nëse ai park avionësh vërtetë nuk nevoitej më, a meritonin ata të trajtoheshin ashtu e të mos mendohej ç’mund të fitohej prej tyre? Zor ta pranojë kush që edhe tipi më i sofistikuar MIG-21, i futur vonë në forcat tona ajërore, të kishte të njëjtin fat si ata të prodhuar në vitet ’50-të. Pra, një pasuri kolosale e vajtur dëm dhe askujt nuk i ka vajtur mëndja të thotë: ishte dobiprurës apo kriminal ky veprim, ndërkohë që shpesh drejtësia meret deri dhe me vogëlsira, me njerëz fakirë, me ata që nuk kanë as “brekë…”

Kësisoj, mjaft kuadrove me përvojë të spikatur në aviacinin e djeshëm, iu vra sedra profesionale dhe iu nëpërkëmb pasioni e krenaria si njerëz, të cilët kishin bërë histori reale në këtë armë duke sunduar qiejt shqiptarë për më shumë se gjysmë shekulli. Ngjau njëlloj sikur mjekut t’i hiqje stretoskopin dhe bisturinë; muzikantit t’i hiqje instrumentin muzikor, hekurpunuesit t’i hiqje kudhrën dhe çekanin,etj, e t’i lije ata “me gisht në gojë…” Ndjeshmërinë e këtyre njerëzve që fati i lidhi me avionët, sidomos ata luftarakë të cilët impononin tjetër dinamikë në jetën e tyre, jo kushdo mund ta njohij e çmojë saktësisht. Mes tyre gjeje dhe gjen njerëzillëkun, humorin, miqësinë e pastër, dashurinë për shokun dhe mjetin fluturues që i besohej, ndjenjën e sakrificës deri në sublim jete, përkushtimin maksimal si ushtar besnik i vëndit të vet, atdhetarinë në shkallën më sipërore. Në 69 vite të ekzistencës së aviacionit luftarak shqiptar (i krijuar më 24 prill 1951), nuk ka ndodhur të arratiset asnjë pilot shqiptar, kur çdokush prej tyre mund ta bënte këtë për punë minutash. E vetmja “arratisje” (nëse duam ta quajmë të tillë), është ajo e një avioni reaktiv me dy pilotë në bord e ndodhur në marsin e vitit 1997 , të cilët preferuan më mirë të shkonin në një shtet fqinj se sa të zbatonin urdhrat kriminale të ndonjë eprori famkeq për të bombarduar jugun e Shqipërisë dhe objekte strategjike në atë rajon. Një çmënduri e diktuar nga qeveritarë eksiq të asaj kohe. Janë 44 dëshmorë të kësaj arme, prej të cilëve 39 janë pilotë. Një numër jo i vogël, të cilët ranë pa qënë në luftë, por të vetëdijshëm për të qënë në lartësinë e detyrave, të ngjashme me ato në kohë lufte. Janë sa e sa akte guximi dhe trimërie të mjaft prej tyre gjatë fluturimeve ajërore duke rrezikuar veten dhe avionin si, ai i Bilal Sinës në vitin 1967, i cili shpuri avionin në aerodrom me motor të fikur; i Anastas Ngjelës dhe Mahmut Hysës, të cilët në vitin 1957, detyruan uljen në aerodromet tona të një avioni ushtarak amerikan; përsëri i Mahmut Hysës, Koço Bikut dhe Gëzdar Veipit që vite më pas kapën dhe ulën në Rinas një avion ushtarak jugosllav; i Ismail Togut që në fund të viteve ’70-të, mbriti në aerodrom pa një pjesë të kabinës që mbron pilotin, e cila ishte shkëputur nga presioni i ajrit; i Veli Përlekës, i cili në marsin e vitit 1997, ndonse shkonte me helikopter për të marë në Gjirokastër të plagosur, u qëllua nga rrebelët duke i coptuar gjurin (që më pas mbeti invalid), por nuk e la detyrën, etj. Pilotëve dhe komandantëve të shquar, si Edip Ohri, Niko Hoxha, Babaçe Faiku, Fari Bubësi, Haki Jupasi, Vasil Trasha, Peço Polena, Thanas Gjiknuri, Bardhyl Taçi, Gëzdar Veipi, Masar Aga, Koço Andoni, Bajram Hitaj, Lulo Musaj, Qiriako Dhima, Sali Dibra, Tomor Avdia, Çobo Skënderi, Mahmut Hysa, Hazbi Serani, Serafin Shegani, Luto Sadiku, Servet Murati, Flamur Micko, Idriz Hoxha, Sabri Toçi, Sefedin Tomçini, Ndue Logu, Agron Galanxhi, Bego Hoxha, Isa Arapi, Bahri Meshau, Siri Barbullushi, Ethem Aliaj, Astrit Jaupi, Klement Aliko,Musa Kame, Mane Bulluti, Bashkim Sadiku, Kujtim Osmani, etj, disa prej të cilëve kanë rënë në detyrë, u janë thurur legjenda për kohën që e ushtruan atë “zanat”. E ndjeshme për arritjet e tyre ka qënë edhe puna e kualifikuar dhe e përgjegjëshme e mjaft teknikëve dhe inxhinierëve të kësaj arme si, Stefan Kagjini, Daut Gurbardhi, Foto Lako, Qiriako Trebicka, Hajrulla Jubani, Servet Tusha, Koli Çobo, Ismail Harizi, Xhevahir Shega etj. Ndaj ata njerëz kanë të drejtë legjitime të krenohen, por edhe të kujtohen e të respektohen jo sa për të kaluar radhën, por siç e meritojnë.

Në 15 majin e këtij viti, mbushen 65 vjet nga krijimi i Regjimentit të parë luftarak me avionë reaktivë gjuajtës-bombardues të tipit “MIG”. Në atë 15 Maj të vitit 1955, në aerodromin ushtarak të Kuçovës (ish ‘Qyteti Stalin”), u shfaqën 24 avionët e parë reaktivë në Shqipëri të ardhur nga ish Bashkimi Sovjetik e të montuar këtu nga teknikë rusë e shqiptarë (sëtoku), duke krijuar dy skuadrilje luftarake. Niko Hoxha ishte komandanti i parë i atij regjimenti, i cili mbas 7 vite shkoi Komandant i Regjimentit të Rinasit dhe ia dorëzoi detyrën zëvëndësit të tij Fari Bubësi, që komandoi aty për 9 vjet. Dy pilotët e tjerë të shquar, Babaçe Faiku dhe Edip Ohrii, u caktuan njëherazi, i pari Komisar i atij Regjimenti (Kuçovës), dhe i dyti, Komandant i Aviacionit Shqiptar. Vasil Trasha, i cili shënon dëshmorin e parë si pilot në tokën shqiptare (mars 1958), dhe Peço Polena, që ishte i pari pilot që u ngrit në ajër në ditën e themelimit të aviacionit shqiptar, u caktuan Komandantë të seicilës skudrrilje. Seicila prej tyre kishte edhe personelin nxhiniero-teknik. Regjimenti në fjalë që u pagëzua me emrin “PEZA”, u bë “shkolla” ku u argasën mjaft pilotë, teknikë e kuadro të tjera, prej të cilëve do të plotësohej një pjesë e mirë e efektivave në dy Regjimentet e tjera me avionë reaktivë: i Rinasit dhe i Gjadrit, pa folur për Regjimentin e helikopterëve në Farkë të Tiranës. Por Regjimenti i Kuçovës mbeti më i madhi në shakllë aviacioni.

Nga të gjithë pilotët që u rreshtuan në ditën e parë të krijimit të këtij Regjimenti, jetojnë vetëm dy: Bajram Hitaj dhe Koço Andoni, të dy mbi 90 vjeç. Aktualisht, në Shqipëri është vetëm Bajrami, i cili veç qënies partizan i Brigadën e 6-të që nga krijimi i saj dhe i plagosur në atë luftë, prej vitit 1957 do të ishte piloti dhe komandanti i ekipazhit të avionit të vetëm bombardues në Shqipëri (IL-28), mbas përgatitjes dhe specializimit dy herë në Rusi, të cilin e drejtoi për18 vite, deri sa ai doli në pension. Ai, si më i moshuari, tok dhe me disa pilotë e teknikë të tjerë (tashmë veteran të aviacionit), mblidhen mëngjezeve thuajse në çdo ditë të javës, për një kafe, ditëlindje shokësh apo sebepe të tjera, duke përbërë një “kolektiv” simpatik. Ndër ta gjen Qiriakon, Servetin, Agimin, Ahmetin, Petraqin, Myslymin, Drinin, Ismailin, Xhevahirin e ndonjë tjetër. “Kjo mënyrë takimi, na mban gjallë…”-thonë ata. Sëtoku, kujtojnë vitet më aktive në aviacion. Janë njerëz që rrezatojnë dije, kulture dhe fisnikëri. Si mik me disa ndër ta, mbetesh i befasusuar kur je mes tyre për kthjelltësinë e mendimeve që shfaqin, jo vetëm si profesionistë, por edhe si qytetarë të mirë të këtij vendi. E kanë peng në shpirt e në zemër kur kujtojnë si ishte dhe si u katandis aviacioni ynë luftarak. Qiriakua (Dhima), i ka hedhur edhe në libra analizat e tij si ish komisar i Regjimentit të Rinasit. Dhe sikurse këta, ka edhe të tjerë që jetojnë me të njëjtat kujtime.

Por, përveç atij ‘’argëtimi” shoqëror të vetorganizuar (në mund të thuhet argëtim), nuk kujtohet kush nga strukturat shtetërore të vlerësojë kontributin e tyre. Madje, qoftë 24 Prilli si Dita e krijimit të Aviacionit shqiptar, qoftë 15 Maji si Dita e krijimit të Regjimentit të parë të avionëve luftarakë të modernizuar (reaktiv), kalohen si pa u ndjerë, pa emocionin e dikurshëm, pa rëndësinë që bart një datë historike. U duket një heshtje që vret. Por kur kujtojnë se heshtja dhe “harresa” shfaqen edhe për Ditën e Çlirimit nga nazifaqshistët (29 Nëntorin) dhe Ditën e Dëshmorëve të Atdheut (5 Majin), apo dhe për data të tjera përkujtimore, nuk kanë pse të presin ndonjë gjë të madhë për dy datat e mësipërme që lidhen me Aviacionin. Ka vite që për to ka “ftohtësi”. “Mirë avionët që u harruan-thonë ata-po ne qe jemi ende gjallë a nuk meritojmë të na begenisin sado pak moralisht?! Dhe mendoj se kanë të drejtë. Ata, çfarë kishin për t’i dhënë Atdheut, ia dhanë me shpirt e pa kursim dhe nuk duan lëvdata. Por datat historike lipsen vlerësuar jo për hatër të tyre, por për të treguar modelin e nje shteti dhe shoqërie serioze. Si do ta dinë brezat e ardhshëm historinë e një ngjarje kur ajo nuk futet në memorjen e tyre? Franca, përkujtoi vjet në rajonin e Bretanjës, 75 vjetorin e hapjes së Frontit të Dytë të Luftës së Dytë Botërore. Tërë Europa, kujton çdo vit “9 Majin”, duke e quajtur “Dita e Europës”, e çlirimit nga nazifashizmi. Po ne, a jemi në një “metër” me ta? A nuk kanë nevojë, fjala vjen që ai pak efektiv i helikopterëve të sotëm të dëgjojë përvoja direkte nga veteranë të aviacionit siç janë dhe këta? Në të kundërtën do të thuhej si në përralla: “Na ishte një aviacion luftarak dikur…”! Le pastaj të bëhej një bisedë në ndonjë studio televizive me personazhe të këtij profili, apo të ishin prezent në ndonjë mjedis tjetër rinor, publik e shoqëror. Ndonse në 15 majin e këtij viti është 65 vjetori i përmëndur më lart, ata e parandjejnë ftohtësinë përkujtimore që mund ta organizonin struktura të caktuara të Ministrisë së Mbrojtjes. Dhe kjo nuk është thjesht çështje pandemie nga virusi KOVID, se sa nënvlevtësim dhe shmangie nga përgjegjshmëria. Gjithësesi, pavarësisht harresës apo mosdashjes së të tjerëve dhe asaj çfarë ndodhi me avionët e tyre të dikurshëm, krenarinë e tyre si ish ushtarakë besnikë të këtij vendi, nuk ua zhbën dot askush.


Avionë reaktive shqiptarë, para vitit 2005 (që ishin në përdorim).

      
Avionë reaktive shqiptarë mbas vitit 2005 (jashtë përdorimit).

Pilotë e teknikë aviacioni veteranë, shkurt 2020. Rreshti parë në mes, 92 vjeçari Bajram Hitaj.

Back to top button
LAJMET E FUNDIT