Shembja e Teatrit/ Basha: Afera vjedhja më e dhunshme, një akt lufte

Kreu i opozitës Lulzim Basha shpërndau në Twitter deklaratën e Organizatës Europa Nostra në mbështetje të Teatrit Kombëtar.
“Afera me TK është vjedhja më e dhunshme që u bëhet shqiptarëve nga Rama. Grabitja e TK në mes të pandemisë është akt lufte ndaj shoqërisë dhe ekonomisë që po rrënohen nga RAMAVIRUSI: varfëri masive, krizë e thellë, papunësi e lartë, institucione të kapura dhe korrupsion rekord”,- shkruan Basha, i cili kaloi natën me artistët dhe aktivistët në oborrin e Teatrit Kombëtar, duke treguar solidaritetin e tij personal dhe të opozitës për këtë kauzë.
Europa Nostra, organizatë europiane për mbrojtjen e trashëgimisë kulturore europiane, e ka shpallur Teatrin si një nga 7 ndërtesat më të rrezikuara në Europë, që duhet mbrojtur dhe restauruar. Në deklaratën e mbrëmshme Europa Nostra tha: “Ne jemi për trashëgiminë kulturore të Europës. Prandaj, edhe kundërshtojmë propozimin për prishjen e paligjshme të Teatrit Kombëtar në Tiranë, një nga 7 sitet kulturore më të rrezikuara në Europë. Teatri është i mbrojtur nga legjislacioni vendas, si dhe shoqëria civile e ekspertët.”
Në fund të deklaratës urgjente, Europa Nostra ka vënë në dijeni për këtë qëndrim disa institucione dhe personalitete europiane, prej të cilëve kërkohet reagim, David Sassoli, President i Parlamentit Europian, Maryia Gabriell, Komisionerja europiane për Kulturën, Josep Borell, Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Europian për Politikën e Jashtme, Luigi Soreca, ambasador i BE në Shqipëri. Europa Nostra ka vënë në dijeni për këtë qëndrim edhe Kryeministrin Edi Rama dhe kryebashkiakun e Tiranës Erion Veliaj.
Afera me TK është vjedhja më e dhunshme që u bëhet shqiptarëve nga Rama. Grabitja e TK në mes të pandemisë është akt lufte ndaj shoqërisë dhe ekonomisë që po rrënohen nga RAMAVIRUSI: varfëri masive, krizë e thellë, papunësi e lartë, institucione të kapura dhe korrupsion rekord. https://t.co/DShrc7VJ4o
— Lulzim Basha (@lulzimbasha_al) May 15, 2020