VIDEO: Shembet Godina e Teatrit, arrestime dhe reagime politike

Godina e Teatrit Kombëtar në Tiranë është shembur, për t’i hapur rrugë ndërtimit të godinës së re që do të ndërtohet në të njëjtin vend. Ndërhyrja e fadromave është shoqëruar nga ndërhyrja e forcave policore për të larguar artistët dhe figurat publike që kishin dalë kundër vendimit dhe prej më shumë se 1 viti ishin përfshirë në protestë për të kundërshtuar vendimin.

Godina e Teatrit Kombëtar është  ndërtuar në fund të viteve ’30 dhe është projektuar nga një arkitekt italian ndaj edhe artistët dhe figurat publike kërkonin ruajtjen e tij si objekt të trashëgimisë kulturore.

Fillimisht qeveria shqiptare hapi një garë ku u përzgjodh fitues një projekt që parashikonte që veç godinës së teatrit të ndërtohej dhe një godinë për shërbime publike por më pas ky projekt u anulua dhe u kalua në një plan tjetër, atë që parashikon ndërtimin e teatrit me fonde publike.

Vendimi për shembjen e godinës së teatrit ka sjellë edhe reagimet e para në radhët e politikës.

Sipas kreut të opozitës Lulzim Basha, shembja e godinës së teatrit është “një veprim që shpjegohet me tre fjalë: dhunë, babëzi dhe hajdutëri”.  Sipas Bashës, policia ka ushtruar dhunë ndaj gazetar2ëve dhe protestuesve të tjerë që ishin në mbrojtje të godinës.

Edhe kryetarja e LSI-së Monika Kryemadhi ka reaguar ashpër duke e cilësuar si “shkatërrim të historisë” ndërsa ka bërë apel që të “mos njihet shteti i Edi Ramës”.

Edhe kryeministri Edi Rama ka reaguar pas aksionit për shembjen e godinës së teatrit duke postuar një video në faqen e tij zyrtare në Facebook ku përmend disa nga projektet e zhvilluara deri më tani në Tiranë ku edhe më herët ka pasur protesta para se të bëheshin. Sipas kryeministrit, protestuesit janë të njëjtën persona që kanë protestuar edhe për projekte të tjera madhore.

Back to top button
LAJMET E FUNDIT