“Shpërnda Parlamentin”! Regjisori Edmond Budina i bën thirrje presidentit Meta

Regjisori Edmond Budina ka reaguar pas shembjes së Teatrit Kombëtar. Ai ka deklaruar se sot në Shqipëri është vendosur përfundimisht diktatura. Gjithashtu Budina i bëri thirrje presidentit Meta që të shpërndajë parlamentin.

”Sot është bërë një akt kriminal. Është dhunuar shteti i së drejtës. Për mendimin tim sot në Shqipëri është vendosur përfunimisht diktatura. Neritan Liçaj ishte brenda, Juli Emiri ishte atje, dhe 10 artiste te tjere, ata kanë goditur për të vrarë njerëz, e kuptoni se në çfarë gjendje jemi.

Zoti Soreca na kishit dhënë fjalën që do të reagonit, turp i madh, ambasadorja amerikane që bëri një show me shokun Edi, unë i akuzoj të gjithë që këtu kemi një bashkëpunim për të vrarë njerëz. Prandaj them që ky është shtet kriminal, i bëj thirrje presidentit, që është momenti të shpërndahet ai parlament ilegjitim”, është shprehur Budina.

Me prishjen e Teatrit Kombëtar ditën e sotme janë vrarë edhe ëndrrat e njerëzve që mendojnë se ky vend duhet të ecë përpara. Kështu është shprehur për mikrofonin e Abc News aktori i njohur dhe një ndër qëndrestarët më të hershëm në mbrojtje të godinës së Teatrit Kombëtar, Edmond Budina. I pyetur sesi u ndje teksa shihte që godina rrëzohej, Budina shprehet:

“E dhimbshme, e tmerrshme, është e pashpjegueshme me fjalë. Për faktin, jo vetëm për kohën që kemi kaluar duke e mbrojtur atë godinë, por edhe pse me rënien e kësaj godine vriten edhe ëndrrat e njerëzve që mendojnë se ky vend mund të ecë përpara. Ky për mua ky është një akt barbar, kur e gjithë Evropa thotë që ky është një monument kulture dhe këta e shembin pa pikën e mëshirës…Të sjellësh 1500 forca të policisë dhe të prangosësh aktorët, në një kohë që mafiozët janë të lirë të lumtur…”

E keni besuar që do prishej ajo godinë në atë lloj forme?

“Ne besonim që nuk do prishej. Por, siç kemi dhe besimin që atë rrënojë që bënë aty është një lloj grope që i hapën vetes. Nesër kur ata të mos jenë, ai teatri do rindërtohet përsëri. Do ta paguajnë të gjithë këtë. Nuk pritën as verifikimin e Prokurorisë asnjë gjë…!

Mafia i zhduk gjurmët. Është bërë një vjedhje shumë e madhe. Dhe fakti që ata kanë folur gjithë këtë kohë se shqetësoheshin për kostumet e aktorëve, zërave. I hynë sot e s’pyetën për asgjë. I përplasën i hodhën i shkrinë. Ky është një akt vandal i patjetërsueshëm. Nuk e di ç’kanë dashur të mbulojnë me këtë. Ne atë teatër e kemi pastruar me duart tona, e kemi dezinfektuar…”

Ndërsa, sa i përket artistëve që firmosën për prishjen e godinës, Budina u shpreh se turpi apo nderi i takon çdonjërit për veprimet që bën dhe se ai e ka kokën lart.

“S’kam asgjë, unë nuk kam turp, për gjithçka sa kam bërë. As nuk jam shitur as nuk jam blerë as nuk kam marrë asnjë post. Të tjerët i kanë marrë të gjitha. Nderi, turpi i takon çdonjërit që ka mbi shpatulla atë që ka bërë, unë skam turp e kam kokën lart”. 

Back to top button
LAJMET E FUNDIT