Beteja dyvjeçare për Teatrin që mori fund në përvjetorin e paktit Rama-Basha

Dy vite më parë qeveria, me propozimin e bashkisë së Tiranës depozitoi në Parlament projektligjin për ndërtimin e Teatrit Kombëtar, në formën e PPP-ve, e cilësuar si me një koncesion.
Kontrata e paraqitur shkaktoi përplasje të forta në Parlament, asaj kohe Partia Demokratike, LSI-së dhe aleatët e saj ishin në Parlament dhe nisma do të ishte beteja më e fortë mes mazhorancës dhe opozitës.
Nisma e paraqitur në muajin mars do të kontestohet fuqishëm edhe nga ana komunitetit të aktorëve, ku një pjesë e tyre do të deklaroheshin se nuk do të pranonin që të prishej godina që është simboli i tyre dhe mbi të gjitha është monument kulture.
Në projektligjin e paraqitur parashikohej ndërtimi i këtij Teatri së bashku me kullat në këtë zonë dhe për këtë i jepej si kontratë firmës Fusha shpk. Opozita do ta deklarohej se kjo ishte një aferë e pastër korruptive, do të realizohej pastrimi i pareve të pista me ndërtimin e kullave dhe se zotohej se nuk do të lejonte prishjen e godinës.
Në një postim të dy vite më parë në rrjetet sociale Rama ka sqaruar se teatri i ri do të ndërtohet mbi atë të vjetrin. ” “TEATRI I RI KOMBËTAR MBI GËRMADHËN E TË VJETRIT. Sot pasdite, 17.00, në sallën e ekspozitave të COD, Qendra për Hapje e Dialog, në Kryeministri, prezantohet Projekt-Propozimi i Teatrit të Ri Kombëtar. Një nisëm frymëzuese për një Partneritet Publik-Privat në funksion të kulturës e të zhvillimit ekonomik e social. Një projekt i studios së famshme ndërkombëtare, BIG.”, – do të shkruante Rama në profilin e tij në ‘Facebook’.
Pas bërjes publike të nismës dhe të depozitimit të saj në Parlament, komuniteti i aktorëve krijon Aleancën për Mbrojtjen e Teatrit. Në mesin e tyre, liderët e saj janë Edmond Budina, Neritan Liçaj, Robert Budina, Kastriot Çipi, etj. Nuk do të mungonin protestat e komunitetit të aktorëve dhe shoqërisë civile kundër prishjes së teatrit.
“Ne jemi të angazhuar që ta konservojmë dhe ta restaurojmë Teatrin Kombëtar si një dëshmi e gjallë për vlerën dhe dinjitetin e trashëgimisë sonë artistike dhe historisë sonë kombëtare, dhe si një fanar kulturor që sendërton, përkrah dhe mbledh rreth vetes komunitetin vendas”, do të thuhet në deklaratën e Aleancës më 21 prill 2018.
Por në fakt artistët u ndanë në pro e kundër prishjes së godinës, dhe thellimi i tyre vijon për kohë të gjatë, duke u etiketuar dhe në socialistë dhe demokratë. Menjëherë vërshuan peticionet e aktorëve të ndarë tashmë në dy barrikada.
Përplasja dhe votimi në Parlament
Në korrik të 2018, për shkak të debateve të forta, në parlament, gjatë diskutimit në komisionin parlamentar të Medias, ku i pranishëm do të ishte edhe kryebashkiaku Erjon Veliaj. Deputeti Flamur Noka do të tentonte që të nxirrte jashtë mbledhjes kryebashkiakun e Tiranës dhe kjo do të shkaktonte një sherr dhe debat të fortë mes socialistëve dhe demokratëve në mbledhjen e komisionit. Sipas demokratëve, Veliaj nuk ishte i ftuar në mbledhjen e për seancë dëgjimore, ndërkohë që kryebashkiaku thotë se e kanë ftuar 2/3 e deputetëve që nuk janë të PD-së.
Kjo gjë do të sillte edhe reagimin e kryeministrit Edi Rama që do të shprehej me anë të një statusi se “Një parti e zbrazur mendërisht e politikisht (se shpirtërisht ka firuar me kohë), por e angazhuar fizikisht e ka kthyer debatin parlamentar në një teatër gjuhësh e gjymtyrësh të dhunshme! Pse mos u japim një leje ndërtimi tek SHQUP-i për Kullën e Sporteve Trup me Trup?”.
Pavarësisht përplasjeve të forta, mazhoranca nuk do të tërhiqej dhe se do ta votonte në Parlament projektligjin, ndërsa opozita e bojkotoi seancën e 20 shtatorit. Ligji u kalua me 75 vota pro, ndërsa do të mungonin kryeministri Rama dhe ministri i Diasporës, Pandeli Majko.
Mes Ramës dhe Majkos pati dhe debate të ashpra në sallë, dhe në fund ministri u largua në mënyrë demonstrative nga salla. Pas votimit u përfol dhe për një paraqitje të dorëheqjes së ministrit Majko, një ditë pas votimit, por që u refuzua nga kryeministri.
“Hipokritë kur bërtasin për të mbrojtur një godinë të marrë fund që vetëm Teatër nuk mund të jetë dhe as monument kulture nuk mund të konsiderohet, ndërkohë që, e ka skenën 8 m të gjerë. E dini sa është gjerësia e Turbinës? 24 m. Tetë metra e ka Teatri Kombëtar. Edhe restaurimi ishte i pamundur, përsëri do kishim një skenë 8 m, si vatër kulture në rastin më të mirë. Ndërkohë që shqiptarët duhet thjesht e vetëm të bëjnë dallimin, midis nesh që një pronë publike të kthyer në një gërmadhë, që t’’i referohet askush në mes të qytetit, pa i cenuar 1 m2 do ta kthejmë në një Teatër të bukur dhe modernin të rajonit. Shikoni stadiumin e ri për të besuar. Një Teatër Metropoli kishin në dorë dhe e kthyen në estradë të skeçit të tyre”, do të deklaronte Rama në seancën kur do të votohej ligji.
Meta kthen ligjin, PS e rrëzon, por ligji ankimohet te Gjykata Kushtetuese
Beteja për Teatrin do të përfshinte edhe presidentin Ilir Meta, i cili do të rikthente mbrapsht ligjin e miratuar nga mazhoranca. Presidenti do ta kthente mbrapsht ligjin e teatrit duke kërkuar rishikimin e tij. Pavarësisht se maxhoranca pranoi pjesërisht kërkesën e presidentit, ajo e miratoi me pa ndryshime thelbësore ligjin.
Meta do të rikthente për herë të dytë mbrapsht të njëjtin ligj me dekret, duke përbërë kështu një precedent në historinë e marrëdhënieve mes Presidencës dhe Parlamentit. Në tetor ligji iu rikthye për herë të dytë, porse maxhoranca në bllok e rrëzoi sërish.
Tensionet do të vijon në verën 2019-ës, ku tashmë maxhoranca dërgoi ligjin e ri në Parlament, pasi tashmë do të ndërtohej nga fondet e bashkisë godina e re Teatrit dhe jo pra më PPP, e veçantë, pa kulla. Sakaq PD-ja do të bënte një padi penale ndaj arkitektit të projektit, Bjarke Ingels.
Sekretari i Përgjithshëm i PD, Gazment Bardhi e depozitoi zyrtarisht padinë në Prokurorinë e Përgjithshme duke e akuzuar arkitektin danez për 3 vepra penale : “Korrupsioni pasiv në sektorin privat”; “Dhënia e ndihmës për ndërtim të paligjshëm”; dhe “Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”.
Kryedemokrati Lulzim Basha do të nënshkruante një pakt me drejtuesit e Aleancës, në skenën e Teatrit, ku zotohej për mbrojtjen e mos prishjen e Teatrit.
Ndërsa në prill të 2019 do të hiqeshin germat e Teatrit dhe kjo do të shërbente si një sinjal për Aleancën se godina do të shembej dhe se do të ringriheshin në protesta. Aktorët do të hynin brenda ambienteve të godinës së teatrit dhe do të ngujoheshin për ta ruajtur nga mos prishja e Teatrit.
Tensionimin e situatës, duket se do ta shuante presidenti Ilir Meta, i cili do të ndërmerrte lëvizjen e dërgimit të ligjit për ndërtimin e Teatrit në Gjykatën Kushtetuese. Ai do të preferonte të shkonte personalisht në Gjykatën Kushtetuese dhe të depozitonte ankimimin.
Në kërkesën e tij kreu i shtetit kërkonte shfuqizimin si të papajtueshëm me Kushtetutën, si dhe me Marrëveshjet Ndërkombëtare, të ligjit nr. 37/2018 “Për përcaktimin e procedurës së veçantë për vlerësimin, negocimin dhe lidhjen e kontratës me objekt “Projektimi dhe realizimi i projektit urban dhe godinës së re të Teatrit Kombëtar”.
Kërkesa e dytë është edhe pezullimin e zbatimit të ligjit nr. 37/2018 “Për përcaktimin e procedurës së veçantë për vlerësimin, negocimin dhe lidhjen e kontratës me objekt “Projektimi dhe realizimi i projektit urban dhe godinës së re të Teatrit Kombëtar”, derisa vendimi përfundimtar i Gjykatës Kushtetuese mbi këtë çështje të hyjë në fuqi.
Pronësia te Bashkia dhe shembja e Teatrit
Në 9 maj një vendim i qeverisë për kalimin në pronësi të bashkisë truallin e Teatrit do të nxiste sërish konfliktin. Vendimi cilësohej tashmë si një provë për hapjen rrugë të prishjes së godinës. Kryedemokrati Lulzim Basha do ta cilësonte si vijën e kuqe, aktin e prishjes së teatrit dhe paralajmëronte për pasoja qeverinë dhe kundërshtarin e tij politik, Edi Ramën.
“Ne kemi qenë transparent me projektin. Kemi thënë që plani i parë është ta ndërtojmë me lekët e privatit, që nuk ramë dakord pasi privati nuk ofronte aq sa kërkonin aktorët. Plani i dytë është ta ndërtojmë me lekët e tona, por që nuk i kemi dhe kalojmë tek plani i tretë që marrim kredi dhe ndërtojmë teatrin. Duhej të kalonte në pronësi të Bashkisë së Tiranës sepse ndërtimi do të bëhet nga e para dhe është Bashkia e Tiranës që do të marrë kredinë”, do të deklaronte kryebashkiaku Veliaj.
Presidenti nga ana tjetër iu drejtua sërish Gjykatës Kushtetuese kësaj here për ankimuar vendimin e qeverisë për kalimin në pronësi të Teatrit te bashkia e Tiranës. “Vendimi përbën rrezik që kujtesa e veprimtarisë kulturore dhe artistike e lidhur me to të humbasë. Sovraniteti për çështjet të tilla duhet t`u takojë të gjithë qytetarëve dhe përderisa ky unitet mishërohet në Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë, në parimet themelore të parashikuara prej saj, atëherë i takon vetëm Gjykatës Kushtetuese për t’u shprehur përfundimisht mbi këtë çështje dhe asnjë institucioni tjetër” tha Meta.
Orët e para të 17 majit do të shënonin dhe fundin e betejës dyvjeçare të komunitetit të artistëve dhe opozitës për teatrin. Policia dhe punonjësit e IKMT-së shembën në orët e para të mëngjesit të së dielës, në ditën e fundit të vetizolimit, godinën.
Pikërisht një datë simbolike që do të mbesë në memorien historike, pasi shembja realizohet më 17 maj. Ajo njihet si data e marrëveshjes politike mes Ramës dhe Bashës, e arritur tre vite më parë, që mundësoi futjen e opozitës në zgjedhje dhe dhënien fund të protestave. Godina 83-vjeçare e Teatrin nuk ekziston, e tashmë projekti për rindërtimin e tij, një ide e Ramës që në kohën kur ishte ministër i Kulturës, në vitin 1998, po merr jetë, kur ai tashmë kryeministër i vendit.




