Turizmi në Kosovë/ Humbje drastike, kërkohet ndihma e shtetit

Masat e marra për frenimin e pandemisë së koronavirusit, kanë bërë që sektori i turizmit në Kosovë të pësojë humbje të mëdha.
Tashmë orientimi i agjencive është drejt paketave të lira, të cilat të tërheqin më së shumti qytetarët e Kosovës apo ata të rajonit. Me humbjet që shkojnë në miliona euro, rimëkëmbja e turizmit duket gati e pamundur pa ndihmë nga shteti.
Baki Hoti, kryetar i shoqatës së turizmit alternative në Kosovë, thotw se ” dëmët në sektorin e turizmit nga pandemia e Covid 19 janë jashtëzakonisht të mëdha, duke pasur parasysh që është një sektor i prekur direkt që nga dita e parë dhe kjo ka ndikuar jashtëzakonisht shumë.
Të gjitha subjektet hoteliere, të gjitha restorantet, kafenetë, të gjitha agjencitë turistike, komplet i gjithë sektori është prekur që në fillim, e kjo ka ndikuar medoemos negativisht qoftë tek punësimi, qoftë tek zhvillimi ekonomik”.
Shoqata ka hartuar një plan prej pesë pikash për daljën e sektorit nga kriza, duke përmendur ndër të tjera uljen e TVSH-së në degën e akomodimit nga 18 në 8% apo krijimin e kushteve për kredi me noram të ulëta interesi. Duke qenë se ende nuk dihet kur do të hapen kufijtë, Hoti shton se këtë vit, nuk presin të ketë shumë vizitorë.