Zgjedhjet parlamentare në Serbi, liderët e pesë partive shqiptare në Preshevë bëhen bashkë

Liderët e pesë partive shqiptare në Luginën e Preshevës kanë arritur një marrëveshje të përbashkët që të futen si koalicion në zgjedhjet e 21 qershorit në Serbi, pas bisedimeve të mbrëmshme.
Lista apo koalicioni i përbashkët do të quhet “Alternativa Demokratike Shqiptare – Lugina e Bashkuar”, ndërsa i pranishëm në takim ka qenë dhe ambasadori shqiptar në Serbi Ilir Boçka.
“Drejtuesit e pesë partive politike shqiptare nënshkruan sot në Preshevë, Marrëveshjen për koalicionin “Alternativa Demokratike Shqiptare – Lugina e Bashkuar” për t’u përfaqësuar me një listë të përbashkët në ditën e zgjedhjeve të 21 qershorit në Serbi. Amb e Shqipërisë ishte e pranishme në këtë ngjarje”, shkruan diplomati Ilir Boçka.
Ndërkohë, për takimin ka shkruar dje dhe kryetari i komunës së Luginës Shqiprim Arifi.
“Sonte në Preshevë i mirëprita liderët e partive politike shqiptare të luginës së Preshevës. Bashkë me ne në takim ishte edhe Ambasadori i Republikës së Shqipërisë Z. Ilir Boçka ku diskutuam për listën e përbashket: “Alternativa Demokratike Shqiptare – Lugina e Bashkuar” në zgjedhjet parlamentare.” ka shkruar Arifi.