Kryemadhi akuza Ramës: Të ketë kujdes nga vija e bardhë, nuk e ka problem të vrasë 10 mijë njerëz

Rikthehet akuzat e ashpra mes dy kampeve të politikës, mazhorancës dhe opozitës. Kryetarja e LSI, Monika Kryemadhi në një intervistë për Neës24 ka thënë se shembja e Teatrit nuk mund të ndalej pasi as 10 mijë veta të paarmatosur dhe të pambrojtur nuk mund t’i bënin dot ballë Policisë.
Kryemadhi thotë se nga ana tjetër qëllimi i Aleancës dhe opozitës nuk ishte për të pasur viktima, por kryeministri Rama nuk e ka problem sipas saj edhe të vrasë.
Ndërkohë Kryemadhi ashtu si dhe Basha siguron që Teatri do të bëhet aty ku ka qenë, në atë truall siç ishte duke shtuar se Teatri i Ri është vetëm një projekt- ide dhe jo konkret.
”Duhet një reagim qytetar ndaj identitetit tonë. Një popull asimilohet me dhunë, duke hequr trashëgiminë e vet. është emergjente dhe urgjente. Mjafton të shohësh kurrikulat e arsimit po varfërohen. çdo gjë që ka lidhje me të shkuarën shqiptare po venitet me elementë që nuk kanë jetëgjatësi. është thirrje urgjente për këtë nismë të Ramës ndaj shkombëtarizimit shqiptar.
Ajo që unë dua të them është që 10 njerëz, apo dhe 10 mijë njerëz të pambrojtur, pa armë, pa ushtri, burra e gra, pensionistë nuk mund të përballen me Policinë e armatosur.
Mbrojtja e Teatrit nuk kishte të bënte vetëm me vendosjen e njerëzit për t’u goditur fizikisht. Rama nuk e ka problem të vrasë njerëz. I vret dhe i harron. I çon në mish për top. Si Aleanca për Teatrin ashtu si çdo përfaqësues tjetër nuk kemi pasur për qëllim të kishim viktima por të nxirrnim fytyrën e Ramës.
Ajo do rindërtohet siç ka qenë, me të njëjtat projekte. E keni dëgjuar dje ministres e kulturës kur tha nuk është projekt, është ide- projekt. Nuk ka projekt. Kodra e Diellit është një rezidencë ku banojnë më shumë socialistë se ne të opozitës. Atje banoj edhe unë dhe ministrat. Aty do të rindërtohet në të njëjtin vend Teatri. Ai gjithmonë kështu i ka shembur gjithë veprat kulturore dhe kinematë e Shqipërisë.”- tha Kryemadhi.
Rama tha se nuk e njeh vijën e kuqe, por Kryemadhi bie dakord me këtë duke thënë se kryeministri njeh vijën e bardhë, duke nënkuptuar kokainën.
Kryemadhi i bën apel Ramës duke ironizuar që të shohë përbërjen e vijës së bardhë pasi po ia shkurton ditët. ”Vërtet Jezu Krishti thotë të goditi në njërën faqe, ktheji faqen tjetër. Por kur pa se kishin pushtuar tempullin e tij, mori kamxhikun. Me paratë e taksapaguesve paguan Policët për të dhunuar. E mbani mend si tërhoqën zvarrë policen e tyre për t’i marrë shtëpinë. Po rritja e çmimit të ujit. Jam dakord kur Basha përmend vijën e kuqe, pasi është qëndrim politik për bashkëjetesën politike. E dëgjoja Ramën që thoshte se nuk e njihte vijën e kuqe apo të verdhë, pasi ai njeh vijën e bardhë. I thoni ti je më i forti, më i mençuri.
Të jetë më i kujdesshëm me të bardhën, se po ja shkurton ditët. Ne nuk kemi asnjë komunikim me Ramën, as politikisht dhe as si njerëz. Komunikimi i vetëm është para drejtësisë, jo kjo drejtësi që shkarkon Luan Dacin pasi ka falsifikuar. Pse tani pas 5 vjetësh u kujtuan për këtë.
Vetëm shërbëtorët dhe ushtarët e Ramës janë mirë ekonomikisht kurse janë mijëra familje dhe qytetarë në varfëri. Me çfarë tamponash i mati ky për koronavirusin, ky s’ka tampona, gënjen.”- tha Kryemadhi.