Maliqi: Ta shembim këtë Parlament, teatër të pështirë!

Deputeti i opozitës së re ,Lefter Maliqi i cili ka marrë pjesë në protestat e Aleancës për Mbrojtjen e Teatrit, mbështetur nga opozita e bashkuar joparlamentare, tha në mënyrë indirekte se vendi duhet të shkojë në zgjedhje të parakohshme për të pasur përfaqësues të ri të qytetarëve në Kuvend.
“Zoti Gjoni s’ke pse mërzitesh pse qesh një pjesë e mazhorancës se të gjithë e dimë që u janë errur sytë nga dhuna ndaj qytetarëve. Kjo qeveri ka votuar me votat tona zgjatjen e afatit për fatkeqësinë fantazmë natyrore dhe shfrytëzuan këtë fatkeqësi për të shkatërruar teatrin kombëtar. Kjo revolt do të jetë aq e madhe që këtë Parlament, teatër të pështirë, edhe këtij Parlamenti i ka ardhur kohë të shembet, dhe të bëhet me votën e lirë, dhe kjo ditë do të vijë së shpejti”, tha Maliqi.
Për Teatrin foli edhe deputeti Kujtim Gjuzi. “Si njeriu që ka mbrojtur Teatrin 20 vjet më parë kur drejtoja komisionin e ndërtimit dhe zhvillimit urban në këshillin bashkiak të Tiranës si një nga këshilltarët e opozitës. Tetari sot është shembur, bashkë me teatrin është shembur edhe kultura dhe gjithë zhanret e artit që dolën aty, është shembur sporti i boksit. Por mbi të gjithë është shembur godina ku janë bërë gjyqet e diktaturës”, tha deputeti Gjuzi.