“Marrëveshje e fshehtë për të vrarë…”, BE reagon pas deklaratës së Yuri Kim

Një deklaratë e beftë e ambasadores së SHBA në Tiranë, Yuri Kim për sa i përket një marrëveshje të fshehtë për Reformën në Drejtësi ka bërë që të reagojnë faktorët politik dhe ndërkombëtar në vendin tonë.
Së fundmi ka ardhur një reagim edhe nga ambasadori i BE në Shqipëri, Luigi Soreca, i cili thotë se nuk është koha të rihapet diskutimi mbi bazat e Reformës në Drejtësi.
“Zbatimi i Reformës në Drejtësi vazhdon dhe duhet të ruhet. Ky nuk është koha për të rihapur diskutimin mbi bazat e tij, por për të rritur efikasitetin dhe forcimin e burimeve që disponon. Për të dhënë drejtësi të pavarur të përditshme që qytetarët shqiptarë meritojnë dhe për të çuar përpara Shqipërinë në rrugën e saj për në BE.”, shkruan Soreca.
Ambasadorja amerikane në vendin tonë, Yuri Kim, postoi më herët në Twitter një mesazh të fortë në lidhje me Reformën në Drejtësi.
“Shpresoj që të mos ketë një marrëveshje të fshehtë për të vrarë Reformën në Drejtësi. Reforma është e dhimbshme, e ngadaltë dhe jo e përkryer, por është e nevojshme, është duke bërë përparim dhe duhet të vijojë”, shkruante Kim në rrjetin social.