Shtetrrethimi/ Bylykbashi thirrje për mosbindje: Antikushtetues, rimerrni të drejtat tuaja!

Për Partinë Demokratike zgjatja e gjendjes së fatkeqësisë natyrore deri më 23 qershor është antikushtetuese dhe për këtë shqiptarët duhet të reagojnë. Ish-deputeti i PD-së, Oerd Bylykbashi ka shpjeguar nga ana juridike se pse akti i qeverisë bie ndesh me ligjin themeltar të shtetit shqiptar.
“Kufizimi i lirisë së levizjes së shqiptarëve dhe të gjitha lirive të tjera nga Kryeministri Rama, që nga dita e sotme 24 maj, e në vazhdim është antikushtetues. Qeveria duhej të kërkonte shtyrje të re 30 ditore më 23 maj, të raportonte në Parlament për masat e ndërmarra nga 24 prilli deri më 23 maj, të dëshmonte sa efikase ishin ato dhe pse duhej zgjatur edhe me 30 ditë të tjera gjendja e fatkeqësisë natyrore dhe kufizimi i lirive. Kjo është arsyeja e afatit kushtetues 30 ditor, llogaridhënia e qeverisë dhe jo tekat e Ramës në 22.00 të natës ne Facebook”, shprehet Bylykbashi.
Reagimi i plotë
Që nga e diela sotme e Fitër Bajramit, “gjendja e fatkeqësise natyrore” dhe masat e jashtëzakonshme te Kryeministrit Edi Rama janë ANTIKUSHTETUESE. Mbajtja e këtyre masave përtej 23 majit nuk ka vlerë kushtetuese, sepse Parlamenti nuk mund ta zgjaste gjendjen e fatkeqësisë natyrore më shume se një muaj pa një vendim të ri.
Kufizimi i LIRISË SË LEVIZJES së shqiptarëve dhe të gjitha lirive të tjera nga Kryeministri Rama, që nga dita e sotme 24 maj, e në vazhdim është antikushtetues. Qeveria duhej të kërkonte shtyrje të re 30 ditore më 23 maj, të raportonte në Parlament për masat e ndërmarra nga 24 prilli deri më 23 maj, të dëshmonte sa efikase ishin ato dhe pse duhej zgjatur edhe me 30 ditë të tjera gjendja e fatkeqësisë natyrore dhe kufizimi i lirive. Kjo është arsyeja e afatit kushtetues 30 ditor, llogaridhënia e qeverisë dhe jo tekat e Ramës në 22.00 të natës ne Facebook.
Parlamenti ka detyrimin që t’ju mbrojë të drejtat nga qeveria por harrojeni që ky Parlament si shtupë lecke në duart e Edi Rames t’ju mbrojë.
Statistikat e Covid 19 nuk justifikojnë rrëmbimin dhe dhunimin e të drejtave tuaja nga Edi Rama.
Qytetarë, refuzoni që “distancimi social” i neuroneve të Kryeministrit dhe pamundësia e tyre për t’u takuar me njëri-tjetrin në mendime logjike e racionale në interesin tuaj, të dhunojë LIRINË TUAJ TË LËVIZJES! Rimerrni të drejtat dhe liritë tuaja!

