Reforma Zgjedhore, shoqëria civile: Duam listat zebër, jo fushata shantazhuese me video

Këshilli Politik do të mblidhet pasditen e së enjtes për të diskutuar në lidhje me reformën zgjedhore, listat e partive për deputetë, mënyra e administrimit të zgjedhjeve, si dhe sistemin zgjedhor.
Prej dy ditësh ka pasur negociata të ambasadorëve për çështjen e reformës, ku negociatat me drejtuesit e PS-ë, PD-së dhe të LSI-së kanë qenë më tepër në arritjen e një pakete konsensuale për ta votuar përpara afatit 31 maj të vendosur.
Në adresë të Këshillit Politik, Grupi i Punës për Barazi Gjinore në Vendimmarrje – një platformë joformale bashkëpunimi mes organizatave shqiptare dhe ndërkombëtare në fushën e barazisë gjinore, ka përgatitur një dokument me propozime për përmirësimin e disa dispozitave që lidhen me Kodin Zgjedhor.
Propozimet e këtij Grupi mësohet se i janë përcjellë, Këshillit Politik dhe komisionit të posaçëm të reformës nëpërmjet OSBE-ë. Pikërisht OSBE-ja po luan dhe rolin e ndërmjetësuesit që këto propozime të merren në konsideratë.
Një ndër propozimet kryesore të tyre është përfaqësimi i barabartë i gjinisë në listat si për kandidatët për deputetë, për këshilltarë bashkie, si dhe në nivelet e komisioneve të administrimit të votave.
“Kërkohet mbështetja e kuotës 50% – një gur themeli për arritjen e Barazisë Gjinore. Drejtuesit kryesorë politikë kanë kapërcyer prej kohësh pengesat në këtë drejtim duke deklaruar publikisht se do të mbështesin parimin e listave “zebër”, duke mos lejuar dy kandidatë radhazi të së njëjtës gjini, duke bërë të mundur që në çdo listë kandidatësh të ketë 1 burrë – 1 grua , 50 – 50. Kuota prej 50% duhet të aplikohet për kandidatët për deputetë nga të gjitha partitë politike, kryesuesit e komisioneve të Kuvendit, kandidatët për këshillat bashkiakë, kryetarët e këshillave bashkiakë dhe administratorët bashkiakë”, thuhet në kërkesën e këtij grupimi.
Nëse formati i KQZ-së nuk ndryshon, atëherë kërkohet që të respektohet kjo barazi gjinore, te drejtuesi i e këtij institucioni, ku të paktën tre anëtarë të jenë gra. Gjithashtu kërkohet ndalimi i fushatës denigruese, me video apo “kërcënuese”.
“Ndalohen kandidatët dhe përkrahësit e partive politike, kandidatët e pavarur dhe përkrahësit e tyre, punonjësit e administratës zgjedhore dhe personat e tjerë që punojnë gjatë procesit zgjedhor të përdorin gjuhë që mund të provokojë ose nxisë dhunë, të përhapin urrejtje apo të publikojnë ose përdorin fotografi, simbole, regjistrime audio dhe video , mesazhe SMS, komunikime në internet apo çfarëdo materiali tjetër që mund të ketë një efekt të tillë dhe urdhëron të gjithë subjektet elektorale, institucionet ose mediat që t’i heqin ato”, thuhet në këtë propozim.