Vjosa Osmani bojkoton mbledhjen e LDK-së për emrat e rinj të kabinetit “Hoti”

Kryesia e LDK-së është mbledhur për të miratuar emrat e përbërjes së kabinetit të ri qeveritar. Në këtë mbledhje mungon zv. kryetarja e partisë, Vjosa Osmani, e cila njëkohësisht mban dhe postin e Kryetares së Kuvendit të Kosovës.
Në përfundim të mbledhjes së kryesisë, e cila sipas gjasave pritet të zgjasë shumë orë, kryetari i LDK-së, Isa Mustafa do të dalë në një konferencë për mediat ku do të bëjë të ditur emrat e ministrave të rinj të qeverisë “Hoti”.
LDK bashkë me AAK-në, Nismën Social Demokrate dhe pakicat serbe dhe jo serbe në koalicion, pritet që nesër të votojnë për qeverinë “Hoti”, e cila kërkon minimalisht besimin e 61 deputetëve nga 120 që ka Kuvendi i Kosovës.
Edhe pse një ditë më herët kishte deklaruar që Lidhja Demokratike e Kosovës i ka 64 vota për formimin e Qeverisë së re, sot shefi i grupit parlamentar të kësaj partie, Arben Gashi refuzoi të flas me numra.
Pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit, ai tha që seanca e jashtëzakonshme për votimin e qeverisë “Hoti” është caktuar të mbahet të mërkurën në orën 11:00. I pyetur nëse LDK me partnerët i ka 64 vota, ai tha se kjo do të shihet në votimit në Parlament.