“I shkollon Allahu”/ Ky është ekstremisti që kërcënoi me vrasje policët dhe terrorizoi Kamzën (FOTO)

KAMËZ- Ky që shihni në foton e mësipërme të siguruar nga gazetarja e Top Channel, Anila Hoxha, është Roland Kryemadhi i cili dyshohet të jetë ekstremist.
Gjatë ditës së sotme në rrugën Uashtington në qytetin e Kamzës, Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 5 kanë shkuar në banesën e tij për ta shoqëruar në Gjykatë, në zbatim të kërkesës së saj, për shoqërim të detyrueshëm të tij.
Në momentin që shërbimet e Policisë kanë hyrë në banesë, Roland Kryemadhi ka nxjerrë një armë zjarri pistoletë dhe ka kanosur punonjësit e Policisë për vrasje në rast se do afroheshin dhe më pas është mbyllur në banesë.
Menjëherë në ndihmë të Policisë lokale kanë shkuar forcat e DVP Tiranë, FNSH dhe RENEA dhe është bërë rrethimi i banesës, vendosja e perimetrit të sigurisë, evakuimi i banorëve dhe ndalimi i qarkullimit në perimetrin e sigurisë.
Pas negociatave të bëra nga Forcat Speciale RENEA me autorin, për t’u dorëzuar, ku i fundit, pas gjysmë ore, është vetëdorëzuar, në pamundësi për t’u larguar nga banesa.
Mësohet se personi në fjalë ndiqet penalisht pasi refuzon që të çojë fëmijët në arsimin e detyrueshëm, por dyshohet edhe si ekstremist.
Ai pengonte fëmijët të shkonin në shkollë me pretendimin se “ata i shkollonte Allahu” dhe dhunonte gruan.