SHËNIM: Futbolli për “hallexhinjtë” dhe vjedhja e madhe e shqiptarëve…

Futbolli shqiptar, ashtu siç ishte parashikuar, nisi në datën 3 qershor me kategorinë më elitare të vet, ajo që quhet “Kategoria Superiore”.
Protokollet dhe masat janë përcaktuar, do përdoren maska e doreza, nuk do lejohen më shumë se katër fëmijë për të mbledhur topa, nuk do lejohen grumbullimet e ekipeve në korridoret e stadiumit, do të ruhen distancat dhe ajo që është më e rëndësishmja, NUK DO TË KETË TIFOZË…
Masat për futbollin pas Pandemisë COVID-19, janë thuajse të njëjta në çdo vend të Evropës, por ne kemi diçka të veçantë, që na dallon (si përherë…). Për ne, futbolli nuk është për hallexhinjtë…
Kjo fjali e thënë nga një prej anëtarëve të Komitetit Ekzekutiv të FSHF-së, mesa duket nuk është vetëm një frazë e shkëputur nga konteksti, por një bindje e atyre që drejtojnë futbollin në vendin tonë… Nëse në Angli, Austri, Gjermani por edhe në Itali po bëjnë përpjekjet maksimale që disa nga ndeshjet e kampionateve kombëtare të transmetohen pa pagesë, në Shqipëri kemi “ligjet” tona.
Sot, sekretari për kulturën në qeverinë angleze, Oliver Doëden konfirmoi një lajm të madh për shtetasit e vet; Disa nga ndeshjet më të rëndësishme të “Premier League” do të transmetohen falas në BBC. Pak ditë më parë ministri i sporteve dhe rinisë në Itali, Vinçenzo Spadafora deklaroi se do të ndërmarë edhe nisma ligjore që të detyrojnë pronarët e të drejtave televizive të Serie A që ti transmetojnë ndeshjet pa pagesë…
Kurse ne shqiptarëve, na ka qëlluar të kemi president të FSHF-së atë që është njëkohësisht edhe aksioner i DIGITALB (platformës me pagesë që zotëron të drejtat e Kategorisë Superiore). Po hallexhinjtë…?! Pikërisht këtu hyjnë në lojë “hallexhinjtë”…
Superiorja shitet si një paketë më vete në DGA dhe ka paketa 3 mujore dhe 12 mujore.
Cili kishte zgjedhur të abonohej për tre muajt e fundit të Kategorisë Superiore (MARS, PRILL, MAJ) abonimi tashmë i ka mbaruar edhe pse nuk ka parë dot asnjë ndeshje të kësaj pakete për shkak të pandemisë.
Kështu që ato 600 lekët e shpenzuara (kaq kushtonte atëherë paketa) për 3 muajt e Pandemisë duhet ti “qajmë” si lekët e Piramidave. Dhe pikërisht pas “COVID 19” hyn në lojë mendja “gjeniale” e aksionerit-president… Tashmë abonimi i ri 3-mujor (Qershor-Korrik-Gusht) do të kushtoj 800 lekë (200 lekë më shtrenjtë se në muajin Mars).
Pra, tifozë në stadiume JO, nëpër lokale JO e JO, sepse duhen ruajtur distancat, për të të kthyer lekët e abonimit as e çon nëpërmend njeri, kështu që “hallexhinjtë” duhet të paguajnë një paketë më të shtrenjtë sepse edhe futbolli pritet më “spektakolar” jo vetëm nga mungesa e tifozëve, por edhe nga cilësia…
Edhe të gjithë pyesnin veten; pse ky insistim që të niste futbolli, pse kaq dalje publike që të niste me patjetër futbolli shqiptar…
Rrofshin hallexhinjtë! (TEMA)