A do t’i ndëshkojë Lleshaj, ministrat Xhaçka dhe Ahmetaj për skandalin me inertet?

Sipas legjislacionit shqiptar, krimi mjedisor është i dënueshëm siç çdo krim tjetër. Ndotja e ajrit, tokës, lumenjve, deteve, hedhja e mbetjeve, prerja e pyjeve dhe shkatërrimi i florës dhe faunës janë krime kundër mjedisit të përbashkët.

Duke u bazuar tek shkalla e dëmit, këto krime dënohen me gjobë, por edhe me burg. Për dëmët e pakthyeshme në zonat mbrojtura është propozuar që dënimi me burg të variojë nga 5 deri në 15 vite.

Fatkeqësisht, në vendin tonë krimet mjedisore janë në shifra alarmante, ku pjesë e këtij fenomeni kriminal janë bërë edhe ministrat.

SHQIP publikoi dje skandalin (kliko këtu) sesi ministrja Olta Xhaçka përdor kamionët e ushtrisë për të hedhur në rrugë inertet e objekteve të shëmbura në Shijak, pas tërmetit tragjik të 26 nëntorit të vitit të kaluar.

Veprimi skandaloz mori edhe miratimin e ministrit Arben Ahmetaj, që është përgjegjës direkt për rindërtimin. Pavarësisht skandalit të dokumentuar me pamje nuk ka patur një reagim nga institucionet për vënien para përgjegjësisë të dy ministrave.

Inspektoriati Kombëtar për Mbrojtjen e Territorit njoftoi sot se ka gjobitur 10 subjekte në Tiranë për ndotje, por nuk kishte asnjë rresht për krimin mjedisor Xhaçka-Ahmetaj. Sipas IKMT këto subjekte derdhnin ujëra të ndotur në lumin Erzen dhe ndaj tyre është marrë masa administrative gjobë 2 milion lekë. IKMT ndëshkoi me të drejtë subjektet që ndotnin lumin Erzen, por siç duket ka amnistuar krimin mjedisor me vule ministrore që ktheu autostradën Tiranë-Durrës në vend grumbullimi për inertet e krijuara nga objektet e shembura në Shijak.

A vlen paralajmërimi i Lleshaj për kolegët e qeverisë?

Para disa muajsh, qeveria ka ngarkuar Ministrinë e Brendshme me disa detyra të reja, për sa i përket kontrollit të territorit dhe mjedisit. Ndryshimet konsistojnë në një zgjerim të fushës së përgjegjësisë të Ministrisë së Brendshme, edhe me funksionet e parandalimit, mbrojtjes dhe mbikëqyrjes, kontrollit dhe zbatimit të legjislacionit në fuqi për mbrojtjen e tokës, ajrit, ujërave dhe pyjeve nga ndotja, dëmtimet apo ndërhyrjet e paligjshme.

Ministri Sandër Lleshaj, gjatë një takimi që pati më 20 shkurt me prefektët, strukturat drejtuese të IKMT dhe strukturat vendore e qendrore në Policinë e Shtetit paralajmëroi tolerancë zero ndaj krimeve mjedisore.

Lleshaj premtoi se do të ketë ndëshkime për të gjitha ata që ndotin ambientin, premtim që do të shihet edhe më qartë nëse do të aplikohet në rastin e dy kolegëve të tij Xhaçka-Ahmetaj, të cilët kthyen në pikë intertesh një zonë të gjelbër krah autostradës Tiranë-Durrës.

Është momenti për të treguar se ligji vlen për të gjithë, pavarësisht pozicionit politik apo qytetar.

A do ndëshkohet krimi mjedisor Xhaçka-Ahmetaj?

Back to top button
LAJMET E FUNDIT