Ngacmimet seksuale, reagon Meta: Një shoqëri si e jona duhet të ngrihet e gjitha në këmbë!

Presidenti Ilir Meta ka reaguar ndaj protestës së pasdites së djeshme, kundër abuzimit seksual me të mitur, pas rastit të 15-vjeçares në Babrru, e cila u përdhunua nga roja i shkollës.

Duke ndarë disa fotografi nga protesta, Meta thotë se kur çdo formë dhune tolerohet, justifikohet dhe nuk ndëshkohet nga shteti, atëherë dhuna kthehet në sistem.

“Një shoqëri si e jona, që familjen dhe vlerat e saj i vlerëson të shenjta, duhet të ngrihet e gjitha në këmbë për mbrojtjen e tyre!”, deklaron kreu i shtetit.

Reagimi i plotë:

Kur çdo formë dhune tolerohet, justifikohet dhe nuk ndëshkohet nga shteti, atëhere dhuna kthehet në sistem!

Vlerësoj dhe e përshëndes reagimin e djeshëm qytetar në protestën marshim të organizuar dje në Tiranë, dhe do t’i mbështes e inkurajoj gjithmonë të gjitha nismat kundër çdo forme dhune dhe abuzivizmi.

Një shoqëri demokratike dhe sociale, nuk mund të ketë evolucion pa inkurajuar përpjekjet për fuqizimin e rolit të grave dhe vajzave, veçanërisht pa përmbushur detyrimet për mbrojtjen e të drejtave të tyre.

I bëj thirrje drejtësisë të mos vonojë në nxjerrjen e përgjegjësive për rastin e abuzimit të 15-vjeçares në Babrru, dhe nxis institucionet arsimore të jenë më të vëmendshme në parandalimin dhe denoncimin e këtyre rasteve tronditëse.

Një shoqëri si e jona, që familjen dhe vlerat e saj i vlerëson të shenjta, duhet të ngrihet e gjitha në këmbë për mbrojtjen e tyre!

Back to top button
LAJMET E FUNDIT