“Katër faktorët që e bëjnë Shqipërinë veçanërisht të prekshme nga kriza e Covid”

Simulimet e prodhuara nga Banka Botërore vlerësojnë se varfëria në Shqipëri mund të rritet me 4‒8 pikë përqindje, prej tërmetit të vitit 2019 dhe krizës që shkaktoi pandemia COVID-19.

Rritja e varfërisë pritet të jetë karakteristikë e zonave urbane për shkak të papunësisë së lartë, tha Maryam Salim, Menaxhere e Bankës Botërore për Shqipërinë.

Ajo këshilloi autoritetet që procesi i rimëkëmbjes duhet të marrë në konsideratë ndihmën ndaj të varfërve, për t’i integruar ata në tregjet formale të punës me paga më të larta. Skemat e mbrojtjes sociale duhet të forcohen më tej për të mbështetur në mënyrë efektive familjet në nevojë, tha ajo.

Banka Botërore parashikoi se ekonomia shqiptare do të tkurret me 5% gjatë vitit 2020, një nga më të mprehta në rajon. Pse një pesimizëm i tillë?

Së bashku me pjesën tjetër të botës, Shqipëria u detyrua këtë pranverë të merrte masa të pashembullta në mbrojtje të shëndetit publik për të ngadalësuar përhapjen e COVID-19. Dhe nuk mund të harrojmë se kjo ndodhi menjëherë pas tërmetit shkatërrues të nëntorit 2019. Ngrirja e një pjese të madhe të ekonomisë e ka futur Shqipërinë në një recesion të rëndë. Një sërë faktorësh e bëjnë Shqipërinë veçanërisht të prekshme nga kjo krizë:

– Së pari, turizmi është një sektor veçanërisht i rëndësishëm për ekonominë shqiptare, i cili pritet të ketë një kontraktim të fortë për shkak të COVID-19.

– Së dyti, Shqipëria ka lidhje të ngushta me ekonominë italiane, e cila është goditur veçanërisht nga kjo krizë.

– Së treti, kjo është një tronditje globale që ndikon negativisht dërgesat nga diaspora, të cilat janë një burim i rëndësishëm financimi për Shqipërinë.

– Së katërti, punëmarrësit informalë janë veçanërisht të rrezikuar gjatë kësaj krize. Punët e tyre janë më pak të sigurta dhe qasja e tyre në skemat e sigurimeve shoqërore është më e kufizuar. Fatkeqësisht, informaliteti është veçanërisht i përhapur në Shqipëri.

Sidoqoftë, ka një pasiguri jashtëzakonisht të lartë në lidhje me parashikimet ekonomike në këtë periudhë. Ashpërsia
e rënies ekonomike do të varet nga ecuria e pandemisë në muajt e ardhshëm, nga shpejtësia me të cilën mund të lehtësohen kufizimet për mbrojtjen e shëndetit publik dhe nga shkalla në të cilën mund të normalizohet jeta ekonomike. Banka Botërore do të jetë një partner i fortë dhe do të mbështesë Shqipërinë në çdo hap të kësaj rruge.

Back to top button
LAJMET E FUNDIT