Meta i shmanget pyetjes për fushatën e këshilltarit të tij për rrëzimin e qeverisë: S’kam ndërmend…

Presidenti Ilir Meta ka reaguar ndaj lajmit të publikuar në mediat italiane se këshilltari i tij, Ilir Kulla, në 2017 donte ta rrëzonte Ramën nga pushteti, duke bashkëpunuar me senatorin italian Sergio De Gregori.
Dy ditë më parë mediat italiane kanë nxjerrë në dritë detaje në lidhje me një lajm të publikuar rreth tre vite më parë, ku pretendohej se në Shqipëri ishin groposur mbetjet e 1400 kontenierëve që kishin për destinacion Maqedoninë. Në vitin 2017, një faqe italiane, “pianetaitalianeës.it”, shkruante se prokuroria italiane kishte nisur hetimet për këtë çështje dhe se nuk do të kurseheshin as punonjësit e Kryeministrisë
Ndaj këtyre akzuave, pati edhe një reagim të presidentit Meta. Në një deklaratë të parë për këtë çështje presidenti deklaroi se kjo është një tentativë për të larguar vëmendjen nga problemet e vërteta ku po përballet vendi.
“Nuk kam ndërmend të merrem me fake news dhe as të mediave italiane dhe shqiptare, por kam çështje më të rëndësishme për t’u marrë se sa lajme, fabrikime që kërkojnë heqin vëmendjen nga problemet themelore të Shqipërisë”, tha Meta.
Për këtë lajmin këshilltari i presidentit, Ilir Kulla e cilësoi si një shpifje, ndërsa nuk e mohoi se kishte njohje me ish-senatorin italian që po hetohej.
Nga ana e tij, kryeministri Edi Rama nuk përjashtonte se nga lajmi që tronditi politikën shqiptare të ishte përfshirë edhe Meta, që atë kohë ishte kryetar i Parlamentit dhe në bashkëqeverisje me PS-në.
“Kjo shpifje plehrash kishte synim të furnizonte me municion kundër meje Çadrën nën dritaren e Kryekuvendarit! Po më e neveritshmja është që plehrat i’u hodhën në fytyrë Shqipërisë në sytë e botës!Ja këta janë opozitarët që duan të shpëtojnë atdheun nga unë”, do të reagonte Rama nëpërmjet rrjeteve sociale.