Marrëveshja për “Zgjedhoren”, Gjoni: Anti-shqiptare, vota ime kundër! Pazar që rehabiliton Lulin, siguron mandatin e tretë të Ramës dhe kthen kasetën prapa

Marrëveshjen për Reformën Zgjedhore, deputeti i opozitës së re Ralf Gjoni e cilëson si thellësisht anti-kombëtare dhe e thotë qartë që nuk do të japë votën e tij në Kuvend.

Ai e quan një marrëveshje turpi, për të cilën shprehet se i vjen në ndihmë vetëm Edi Ramës dhe Lulzim Bashës, por kurrsesi jo shqiptarëve, e aq më tepër për integrimin  e vendit në Bashkimin Europian.

Edhe pse me ndërhurjen e ndërkombëtarëve, ku SHBA, BE dhe OSBE e kanë dhënë pëlqimin e tyre, Gjoni shprehet se aty nuk janë reflektuar 3 problematikat kryesore të zgjedhjeve në Shqipëri që janë listat e mbyllura, vota e diasporës dhe ndryshimi i sistemit.

” Ajo është një marrëveshje e turpshme pazari që rehabiliton Luli Bashën, siguron mandatin e tretë të Edi Ramës dhe kthen kasetën prapa, tek fillimi i këngës. Ajo marrëveshje nuk ofron shpresë, por shton dëshpërimin e shqiptarëve, të cilët me të drejtë duan të largohen nga vendi. Marrëveshja Basha-Rama nuk siguron votën e lirë e të barabartë, por e lë sistemin pre të manipulimeve zgjedhore. (…)Dhe për të gjithë ata që mund të kenë dyshime, patjetër që vota ime do të jetë kundër çdo ndryshimi në kodin zgjedhor që nuk adreson hallkat kyçe të sistemit zgjedhor”, shkruan mes të tjerave Gjoni.

Ditën e djeshme, opozita e re zhvilloi një takim në rezidencën amerikane që ka zgjedhur rreth 90 minuta ku ishin tre kryetarët e grupeve parlamentare, Myslim Murrizi i grupit Demokrat, Nimet Musai i grupit të Pavarur, Edmond Stojku i grupit “Demokraci dhe Drejtësi”, por edhe Rudina Hajdari, që është pjesë e Këshillit Politik që firmosi mbrëmë paktin dhe Ralf Gjoni.  Pas takimit, tre kryetarët e grupeve parlamentare dolën bashkë nga rezidenca amerikane nga të cilët foli Myslim Murrizi, i cili prerë dhe qartë u shpreh se reformën zgjedhore, 39 deputetët e opozitës në Kuvend nuk do ta votojnë pa u plotësuar kushtet e tyre

Deklarata e plotë:

Që të kuptohemi qartë, duhen disa pika mbi i: Do bëja gjithçka për integrimin evropian të Shqipërisë, por kurrë nuk do punoja kundër interesave të popullit tim. KURRË! Pa lirinë e votës, nuk ka demokraci. Pa demokraci, nuk ka asnjë shans të ketë drejtësi!

Teksti i shitur mbrëmë si çelësi i ‘integrimit’ nuk ka asnjë lidhje me reformën zgjedhore që prisnin shqiptarët dhe me asnjë ‘standart evropian’ në anglisht, italisht apo frengjisht qoftë. Ajo është një marrëveshje e turpshme pazari që rehabiliton Luli Bashën, siguron mandatin e tretë të Edi Ramës dhe kthen kasetën prapa, tek fillimi i këngës. Ajo marrëveshje nuk ofron shpresë, por shton dëshpërimin e shqiptarëve, të cilët me të drejtë duan të largohen nga vendi. Marrëveshja Basha-Rama nuk siguron votën e lirë e të barabartë, por e lë sistemin pre të manipulimeve zgjedhore.

Teksti nuk e përmend fare votën e diasporës, që ne e kemi kusht në parlament. Ranë dakort që të mos ndryshohet sistemi dhe të mos hapen listat. Pra, këta e thonë hapur se duan të emërojnë deputetët e parlamentit të ardhshëm pa garë, pa rregulla demokratike e pa asnjë debat.

Si përfundim partitë e vërteta ‘opozitare’ kërkuan që militantët partiakë të vazhdojnë numërimin e votave dhe të sigurojnë tjetërsimin e vullnetit të zgjedhësve shqiptarë. Këta e pranuan hapur mbrëmë, se gjithë kjo nuk ishte krizë demokracie, por thjesht dëshirë për një tender gishtash.

Si e tillë, kjo është një marrëveshje thellësisht anti-kombëtare e cila nuk i shërben interesave euro-atlantike të Shqipërisë. Nëse kjo kalon në parlament, vendi ynë do bëhet gjithnjë e më i thyeshëm ndaj interesave malinje të aktorëve lindorë, islamikë e anti-perëndimorë, sepse ata që kanë tru do largohen prej korrupsionit gjithnjë e më masivisht.

NDAJ, ne na takon t’a presim penalltinë e Lulit dhe t’ia gjuajmë topin mbrapsht me forcë, drejt e në fytyrat e Ramës dhe Bashës & Co. Duhet që shqiptarët e pastër e të pavarur t’a dënojnë këtë paturpësi të pashembullt, ndërkohë që ne do bëjmë maksimumin tonë në parlament për t’a bllokuar. Dhe për të gjithë ata që mund të kenë dyshime, patjetër që vota ime do të jetë kundër çdo ndryshimi në kodin zgjedhor që nuk adreson hallkat kyçe të sistemit zgjedhor.

Vetëm kështu mund t’i afrohemi Bashkimit Evropian, dhe sinqerisht shpresoj që negociatat të hapen sa më shpejt për të mirën e shqiptarëve.

Back to top button
LAJMET E FUNDIT