“Shikoni nga ç’familje vjen ai djali…”Ardi Veliu pret në zyrë nënën e djalit të dhunuar: Nuk kisha qëllim…

Goditja e një të mituri, në moshën 15-vjeçare nga punonjësit e policisë së shtetit në zonën e liqenit Artificiale shkaktoi irritim në opinionin publik për këtë gjest dhune. Sikur të mos mjaftonte kjo, drejtori i Përgjithshëm i Policisë në përpjekje për të mbrojtur aktin e punonjësit të policisë sulmoi të emën e djalit, Zaida Çobos, duke nxjerrë përpara deptutetëve të komisonit të Sigurisë një video ku pretendohet se ajo përdorte armë dhe nuk ishte një familja për t’u marrë në konsideratë.

Paraditen e sotme, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Ardi Veliu, së bashku me Zv.drejtoren e Përgjithshme Aida Hajnaj, pritën e zhvilluan një takim me Zaida Çobo.

“Sot u takuam me zonjën Zaida Çobo, e cila me të drejtë u ndje e lënduar nga komenti im që mori edhe shumë kritika publike. Dëshiroja që ndjesën time publike t’ia bëja zonjës personalisht dhe më vjen mirë për mirëkuptimin e saj. Përfitoj nga rasti ta përsëris edhe njëherë që jam i keqardhur për komentin tim dhe shpresoj që të jetë kuptuar nga të gjithë që ato fjalë nuk kishin qëllim fare të justifikonin policin (i cili është pezulluar menjëherë pas ngjarjes). Po ashtu nuk më ka shkuar kurrë mendja të lëndoj zonjën apo familjen e saj me atë koment. Ndjesë edhe njëherë!”,  u shpreh Drejtor Veliu pas bisedës.

Veliu nxori një video të nënës së 15-vjeçarit, e cila shfaqej me një armë në dorë. Por në fakt video ishte pjesë e një filmi ku kishte luajtur Ziada Çobo.

“Punonjësit e policisë në një moment kanë një kapërcim të kompetencës. Ai që ka dhunuar është pezulluar dhe ka hetim nga SHÇBA. Po ky djali çfarë përfaqëson? A është bindur ai ndaj policisë? Do t’ju shfaq një video. Shikoni nga çfarë familjë vjen ky fëmijë. Ma treguan këtë video për të treguar se sa i edukuar është ky fëmijë. Nuk dua të justifikohem më. Jo se dua të mbroj Policinë. Por të jemi realist,”-tha Veliu.

Kreu i policisë përmes një reagimi thotë se ai është keqkuptuar dhe ka kërkuar edhe ndjesë. Reagimi i Veliut erdhi pas presionit të PD që kërkoi dorëheqjen dhe reagimit në rrjetet sociale të qytetarëve.

Deklarata e Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit Ardi Veliu:

Jam i keqardhur që Policia e Shtetit bëhet rregullisht shënjestra e atyre që kurrë nuk e thanë një fjalë motivuese për të dhe sot përsëri e njëjta gjë. Ndërkohë që ne jemi organizata më rigoroze në goditjen e fenomeneve brenda vetes, mjafton që një punonjës i ynë të bëjë një gabim dhe megjithëse ndëshkohet në radhë të parë prej nesh, prapëseprapë goditja vijon ndaj Policisë së Shtetit.

Sot unë jam vënë personalisht në shënjestër dhe më vjen keq për deformimin që po i bëhet realitetit të ngjarjes për të cilën fola dhe vetë qasjes sime ndaj saj. Së pari, fjala ime nuk mund të nxirret nga konteksti siç po bëhet. Së dyti, kam bërë një ilustrim të idesë se nuk mundet të fajësohet gjithnjë e vetëm punonjësi i Policisë duke u kapur pas një fotoje të rastit, pa konsideruar tërë kontekstin e një situate. Së treti, kam sqaruar se punonjësi në fjalë është pezulluar dhe ka nisur hetimi disiplinor dhe penal për të. Së katërti, unë po komunikoja hapur me deputetët, një shqetësim që është i mbarë punonjësve tanë, për demonizimin që i bëhet figurës së Policit të Shtetit dhe nuk doja të thosha më shumë se kaq.

Por në fund dëshiroj t’u them të gjithë atyre që po e gjykojnë me ngut këtë “krim” të radhës, se nëse nuk kam arritur dot ta sqaroj si duhet atë çka kisha qëllim, kjo nuk mjafton për të më gjykuar me qëllim. Këtë detyrë e kam mbajtur dhe do ta mbaj deri në fund me nder dhe puna ka folur e do të flasë për mua dhe Policinë e Shtetit më mirë se sa fjalët tona. Ndjesë nëse kam krijuar një keqkuptim me komentin tim dhe besoj se kushdo që do të gjykojë pa paramendim dhe pa e menduar edhe këtë si rastin e radhës për të baltosur Policinë e Shtetit, do të gjejë arsye për ta pranuar ndjesën time.

Image may contain: 2 people, people sitting and indoor

Back to top button
LAJMET E FUNDIT